Nesër paradite në orën 10:00 do të dalin para gjykatës së Shkallës së Parë pesë nga gjashtë personat e arrestuar për laboratorin e heroinës që u zbulua dhe u sekuestrua në fshatin Brenog para dy ditësh.

Për t’u njohur me masën e sigurisë do të dalin; Xhavit Shuti, Anila Shuti, Mustafa Shuti, Flamur Cela dhe Vehbi Barushi.

Gjykata do të japë masën e sigurisë, ndërsa dosja pritet që të transferohet te Krimet e Rënda në Tiranë, pasi bëhet fjalë për një rrjet ndërkombëtar të trafikut të heroinës.

Përveç pesë të arrestuarve në Kukës është prangosur edhe një nga tre turqit e përfshirë në këtë dosje, i cili ndodhet në Tiranë. Ai dyshohet se është biznesmen dhe pikërisht nëpërmjet biznesit të tij kamuflohej sjellja e bimëve të opiumit në Shqipëri.

Brenda laboratorit të drogës në Brenog të Hasit, janë gjetur më shumë se 200 kg heroinë.