Shpërndarësit e drogave pranë shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve janë kthyer në një shqetësim për prindërit por dhe vetë nxënësit.

Gjatë vitit të shkuar vetëm në Tiranë policia ka ndaluar 13 persona, ndërsa për sigurinë janë angazhuar 150 oficerë policie. Vetë nxënësit pranojnë se mes tyre janë të shumtë ata që përdorin drogë.

Shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet mbeten ambiente të synuara prej shpërndarësve të lëndëve narkotike.

Vetë të rinjtë shprehen se kanë konstatuar fenomenin kur miqve të tyre u ofrohen doza kanabisi apo lëndë më të forta.

” Përreth shkollës normal, në çdo cep që mund të shkojmë është shumë delikat”.”Rrugënjohje mund ta gjejnë pas mësimi ose shoqëria, jo në mënyrë direkte”.

150 oficerë sigurie janë angazhuar në sigurinë e institucioneve arsimore, por masat e marra duket se nuk kanë mundur t`i mbajnë të rinjtë larg nga lëndët narkotike.

Nxënësit shprehen se në mesin e tyre janë të shumtë ata që përdorin drogë.
“Njoh të rinj që përdorin lëndë narkotike të moshës sime apo më të mëdhenj”.

“Kam pasur dhe në 9-vjeçare dhe këtu në gjimnaz. Mosha më delikate është 12-13 vjeç”.” Të mëdhenj kam dëgjuar, shoqëria ime nuk është se e përdor dhe aq. Njoh një apo dy”.” Padyshim gjimnazet por edhe 9-vjeçaret nuk janë jashtë kësaj teme”.

Më shqetësuese situata paraqitet në kryeqytet. Sipas të dhënave të marra nga Policia e Shtetit rezulton se përgjatë vitit të kaluar në qarkun e Tiranës janë arrestuar 13 persona të cilët shpërndanin lëndë narkotike në ambientet përreth shkollave.

Për shkak të çmimit më të lirë, cannabis sativa është zgjedhja me e shpeshtë e të rinjve.Gjatë vitit 2018 janë sekuestruar 110 doza por nuk mungojnë as drogat e forta, si heroina.

Sipas një studimi të ISHP-së, drogat u janë ofruar më shumë se 8 % të të rinjve në mjedise të shkollës, 5-7% e personave të moshës 15-18 vjeç kanë eksperimentuar me kanabis, rreth 4% e tyre me ekstazi, mbi 1% heroinë dhe rreth 2-3% e te rinjve kanë eksperimentuar me kokainë.

Rezulton se numri i përgjithshëm i të rriturve në Shqipëri, të cilët kanë provuar lloje të drogave të paligjshme shkon deri në 60 000.