Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka njoftuar dy aplikime të reja për SPAK. Bëhet fjalë për: Edvin Kondili, prokuror tek Krimet e Rënda dhe për Ened Nakuci, prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda.

Kondili ka hetuar më parë dosjen e vendosjes së tritolit në farmacinë e babait të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Gjithashtu, Kondili është prokurori që ka bërë veprimet e para për sekuestrimin e 613 kg kokainë në Portin e Durrësit.

Kondili ka një sërë çështjesh të trafikimit të kanabisit, por edhe dosje të tilla si “Lazarati”, por edhe dosjen e Alket Hatijas.

Ndërsa Eneid Nakuci u bë i njohur si prokurori që duhet të hetonte çështjen “Shullazi” duke paraqitur raport mjekësor për të hequr dorë.
Deri më tani numri i aplikimeve për SPAK ka arritur kuotën e 5 kandidatëve.

Më herët ka aplikuar Anton Martini, prokuror i Krimeve të Rënda. Ai është një emër i njohur, pasi më parë ka mbajtur postin e drejtuesit të prokurorisë së Shkodrës, por edhe pozicione të tjera, ndërsa tani është prokuror te Krimet e Rënda.

Disa nga dosjet që ai ka hetuar janë; Banda e Lushnjes, banda e Durrësit, banda e Cërrikut, Arben Frokun, Lazaratin, përfshirë vrasjen e Policit të RENEA-s Ibrahim Basha.

Ndërsa për tu bërë pjesë e SPAK kanë aplikuar edhe Klodian Braho dhe Besnik Muçi. Aplikimet për 15 vende në SPAK janë të hapura deri në datë 6 shkurt.

Artikulli paraprakFSHEHU DËNIMIN NË ITALI, PROKURORIA PUSHON HETIMET PËR ISH-DEPUTETIN E LSI
Artikulli tjetërKËRCËNUAN PRONARËT E NJË FIRME TRANSPORTESH PËR T’I MARRË PASURINË, PRANGA DY PERSONAVE