Dy ditë para protestës së opozitës, në godinat qeveritare kanë nisur masat paraprake për sigurimin e perimetrit rrethues.

Tek Kryeministria dhe Parlamenti janë vënë gardhet metalike dhe shtyllat janë lyer me graso, masa këto që janë marrë që orët e para të mëngjesit të së enjtes.

Në vijim pritet të sigurohet dhe dera e Kryeministrisë me fletë metalike, për të parandaluar hyrjen e protestueve brenda godinës. Në planin e masave janë angazhuar rreth 1500 efektiva policie.

Dy ditë para datës së lajmëruar, policia ka nisur marrjen e masave për protestën e opozitës më 35 maj.

Paraditen e të enjtes rreth godinës së qeverisë është vendosur gardhi metalik, ndërsa në bulevard janë lyer me graso të gjitha shtyllat ku janë të vendosur kamerat e sigurisë, por dhe altoparlantët që përdoren nga policia për thirrjet ndaj protestuesve.

Pas vendosjes së gardhit metalik, në trotuarin para Kryeministrisë është kufizuar dhe kalimi i këmbësorëve.

Puna e Policisë dhe Gardës ka nisur që orët e para të mëngjesit për shkak edhe të seancës plenare, konkretisht me vendosjen e telit me gjemba përreth gjithë gardhit rrethues të godinës dhe të një tjetër gardhi metalik në rrugën pedonale.

Përreth Parlamentit janë vendosur dhe punonjës policie për të ruajtur rendin, sigurinë dhe mbarëvajtjen e seancës.

Pas masave të marra në terren, në orët në vijim pritet të hartohet dhe plani nga drejtuesit e Policisë dhe Ministrisë për ruajtjen e godinave shtetërore përfshi Kryeministrinë, Parlamentin, dy Drejtoritë e Policisë dhe Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.

Këto masa merren paraprakisht pasi gjatë protestave të fundit ka pasur një marshim të tubuesve nga Kryeministria, në drejtim të Parlamentit dhe Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së Tiranës.

Gjatë tubimeve të opozitës në kryeqytet janë angazhuar 1300 deri në 1500 efektiva policie.

Artikulli paraprakKONFIRMOHET NGA ‘THE TIMES’,KRYEMINISTRJA BRITANIKE MAY JEP NESËR DORËHEQJEN
Artikulli tjetërNË GARË PËR AKADEMINË E SHKENCAVE, VETËM GJINUSHI, ARTAN FUGA: ZGJEDHJET, TË PALIGJSHME