Dy shqiptarë janë vënë në pranga nga policia italiane e Latinës me akuzën e trafikut të drogës e armëmbajtjes pa leje, ndërkohë për një të tretë kanë nisur procedurat e dëbimit nga shteti italian.

Njëri prej shqiptarëve të arrrestuar ishte shpallur në kërkim nga Interpoli.Në një dalje për mediat, policia italiane tha se operacioni është finalizuar të hënën, 2 tetor 2018.

Tre shqiptarët ishin mbajtur prej kohësh nën kontroll.Katër kërkime, tri prej të cilave ishin të suksesshme, u kryen midis Latina dhe Aprilia, në veçanti në zonën e Fossignano në kufi me territoret e Anzio dhe Nettuno.

Shënjestër e policisë ishin tre shtetas me origjinë shqiptare me precedentë të shumtë. Dy u arrestuan dhe për të tretin, i cili gjithashtu ishte ilegal në shtetin fqinj, filluan procedurat e dëbimit.

Elton Qerreti, i njohur si “Toni”, ka përfunduar me pranga, me një numër precedentësh për trafikimin e drogës dhe prostitucion të minorenëve. Gjatë kontrollit, në një zgavër të bodrumit të banesës së tij, u gjet një pistoletë me fishekë.

Arma ishte fshehur mirë, e paketuar dhe e mbështjellë në celofan. Dyshohet se ajo është vjedhur në Romë.
“Një armë shumë e rrezikshme, funksionale dhe gati për tu përdorur”, e përshkroi policia.

Nga ana e policisë shkencore po kryhen hetime teknike, daktiloskopike dhe biologjike për të përcaktuar nëse pistoleta është përdorur gjatë kohëve të fundit.

I arrestuari tjetër është Alfred Shehaj 28 vjeçar, i quajtur “Freddy”, në shtëpinë e të cilit gjatë kërkimit gjetën 35 gram marihuanë dhe 4 hashash.

Për 28 vjeçarin, prej 13 vitesh në arrati, ishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar nga autoritetet greke të cilat e kanë dënuar me 15 vjet burg për trafik droge. Dënimi ishte dhënë në vitin 2005. Alfred Shehaj, i cili ka mbajtur disa identitete në rrjedhën e hetimeve të tjera, u arrestua në Greqi pasi u kap duke trafikuar 98 kg kanabis nga Shqipëria. Për hetuesit ai është “lider” i grupit.

Personi i tretë është Altin Rakipi, emigrant i paligjshëm në Itali. Policia italiane e ka shoqëruar fillimisht në zyrën lokale të imigracionit dhe më pas do të transferohet në Qendrën përriatdhesim në Potenza deri në dëbimin përfundimtar në Shqipëri.

Shefi i policisë tha: “Për ne është një rezultat i rëndësishëm sepse goditet një lloj krimi i profilit të lartë, shumë i përhapur. Një krim në kontakt të ngushtë me atë italian, të pajisur me armë të fuqishme dhe shumë të rrezikshme që janë në gjendje ti gjejnë në tregun klandestin.

Ne kemi hequr tre kriminelë të rrezikshëm dhe të paskrupullt nga territori, dy në burg dhe një që së shpejti do të dëbohet “.