Me urdhër të antimafias italiane të qytetit të Triestes janë arrestuar sot në Shqipëri dy krerët e grupit të trafikantëve Keci që vepronte në zonën e Shijakut dhe të Durrësit.

Bëhet fjalë për Astrit Kecin dhe Shkëlqim Sufjen. Ata janë arrestuar në Shijak dhe në Lezhë.

Ata rezultojnë të jenë anëtarë të grupit “Keci” dhe ishin shpallur në kërkim prej 2006

“Hetimet e antimafias italiane kanë vërtetuar aktivitetin e tyre në trafikun ndërkombëtar të drogës përgjatë viteve 1998-2006. Astrit Keci e Shkëlqim Sufja janë arrestuar në banesat e tyre private.

Dy të arrestuarit akuzohen për trafik heroine e kokaine nga vendet ballkanike drejt Europës. Droga trafikohej përmes territorit italain duke përdorur pikat kufitare në rajonin e Friuli Venecia Giulia.

Astrit Keci dhe Shkelqim Sufja vazhdonin të garantonin eficencën e organizimit të trafikut të sasive të mëdha heroine e kokaine drejt Italisë dhe Europës.

Policia shqiptare pritet të dalë në një konferencë për median lidhur me këto arrestime.

Arrestimet u ndërmorën pas një hetimi të gjatë të koordinuar nga Dda e Triestes në bashkëpunim me Antidrogën, zyrën e lidhjes së policisë shqiptare në Bari dhe SKIP, zyra e bashkëpunimit ndërkombëtar të policisë.