Kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla akuzon Partinë Demokratike se bashkë me një televizion lokal kanë montuar videon ku akuzohet se është ai që pi kokainë dhe për këtë gjë deklaron se do të padisë për shpifje ish-deputetin Ervin Salianji.

Alla thotë se ekzistenca e “video-montazhit më është bërë me dije prej rreth një viti, por gjithmonë kam besuar dhe besoj se duhet të jetë drejtësia ajo që ta hetojë dhe ta zbardhë” duke e mohuar.

“Dua të informoj opinion publik të Bulqizës dhe të gjithë Shqipërisë, me të drejtë të shokuar nga një video-montazh të publikuar në bashkëpunim nga Partia Demokratike dhe një televizion lokal, se sot jam nisur drejt Tiranës ku do të depozitoj një padi në ngarkim të shtetasit Ervin Salianji, një person me aktivitet përsëritës kriminal për situata të ngjashme, referuar organeve të drejtësisë shqiptare.

Dua të sqaroj gjithashtu se ekzistenca e një video-montazhi më është bërë me dije prej rreth një viti, por gjithmonë kam besuar dhe besoj se duhet të jetë drejtësia ajo që ta hetojë dhe ta zbardhë. Prandaj deklaroj se unë do të pres zbardhjen e çdo vepre penale nga drejtësia. Kushdo që më akuzon mua të presë veprimet e Prokurorisë dhe vendimin përkatës të Gjykatës” shkruan ai në facebook. Ndërkohë që Alla e mohon duke e cilësuar video montazh, SPAK-u nisi sot hetimet për rastin për të parë situatën penale ku ndodhet kryebashkiaku.

Partia Socialiste është distancuar nga kryebashkiaku i zgjedhur nga sigla e saj në 30 Qershor. Deputetë të PS janë shprehur se nëse vërtetohet se është ai në video, atëherë përgjegjësia është personale.

Artikulli paraprakU AKUZUA SE PO PINTE KOKAINË, SPAK REGJISTRON HETIMIN PËR KRYEBASHKIAKUN E BULQIZËS
Artikulli tjetërGOLEM, QINDRA BANORË MIRËMBAJNË VETË RRUGËN