Në gjykatë të pranishëm kanë qenë prindërit e 27-vjeçares, që gjatë gjithë kohës kanë kërkuar lirmin e vajzës së tyre të vetme.

Në seancën e radhës të mbajtur në Gjykatën e Durrësit, prokurori Drini Pali tha se, “Nga ana jonë janë marrë parasysh disa fakte, duke nisur nga rrezikshmëria e personit, gjendja ekonomike e sociale, fakti që nuk ka shprehur pendesë e nuk e ka pranuar fillimisht ngjarjen.

Kërkojmë pesë vjet heqje lirie, por me aplikimin e uljes së 1/ 3 së vendimit me pranimin e fajit të dënohet 3.4 vjet heqje lirie.”

Avokatja mbrojtëse i kërkoi gjykatës të thirret në gjyq edhe Barush Ahmeti, ish-përgjegjësi i postës së Manzës, i cili e denoncoi 27-vjeçaren për zhvatje me anë të mashtrimit të 60 milionë lekëve.

Gjykatësi i çështjes, Petraq Curri e hodhi poshtë kërkesën e mbrojtjes, duke thënë se “Ahmetaj pas marrjes në pyetje nga gjykatësi ka thënë se nuk ka dëshirë të paraqitet në gjykatë. Mbetet në dëshirë të tij dhe aspak me urdhër gjykatë”, vendosi Curri.

Pritet që në sencën e radhës të jepet edhe vendimi për 27-vjeçaren e cila në internet përdorte mbi 30 adresa Facebook-u, dhe kishte shfaqur personalitete të shumëfishta dhe herë pretendonte se do lindte një fëmijë e herë që do martohej në muajin gusht.

Vajza pretendon se është e martuar me një person në Itali, ndërsa edhe në rrjetet sociale mban mbiemrin e tij. Po kështu, Enertila Beqja kishte krijuar një rreth familjar dhe shoqëror imagjinar, me një bashkëshort që nuk ekzistonte në realitet por në një ndër Facebook-ët e saj, që menaxhohej prej 27-vjeçares.

Në gjimnaz e mbajnë mend si vajzën që vuante nga sëmundja e epilepsisë e cila nuk u kurua për shkak të mentalitetit që ekziston në fshat.