21-vjeçari Gentjan Lalaj, i cili jetonte në veri të Londrës, u dënua me 3 vjet burg dhe iu ndalua që t’i japë makinës për 6 vjet e gjysmë.

Dënimi për të u dha nga gjykata e Southampton dhe ai u shpall fajtor për shkaktim të dëmtimeve të rënda, si pasojë e drejtimit të automjetit në mënyrë të rrezikshme, si dhe për drejtimin e makinës pas patentë e siguracion.

Lalaj drejtonte një makinë Volvo të vjedhur. Ai deklaroi se po ndiqej nga dikush që kërkonte të merrte hak ndaj tij për shkak të gjakmarrjes. Megjithatë mbrojtja e tij nuk u pranua nga juria.

Prokurori Blain tha se viktima, 27-vjeçari Tom Carey nga Rochester, i cili mbante veshur uniformën e punës, me ngjyra të dukshme nga largësia, pësoi dëmtime të shumta kur u godit nga makina e të pandehurit.

Pamjet tregojnë sesi shqiptari e katapultoi 27-vjeçarin në ajër, përpara se makina të përfshihej nga flakët.I riu britanik qëndroi 12 ditë në spital.

Nga ana e tij, nëpërmjet avokatit mbrojtës, Lalaj u shpreh i penduar për çfarë kishte ndodhur. “Më vjen shumë shumë keq që e godita…”

I riu kishte 18 muaj që kishte shkuar në Britani, i fshehur në pjesën e pasme të një kamioni. Avokati i tij tha para gjykatës se Lalaj nuk e dinte që po ndiqej nga policia, por besonte se ishte dikush nga Shqipëria që kërkonte të hakmerrej për një vrasje të kryer nga familjarë të 21-vjeçarit.

Pavarësisht pretendimeve, akuza tha se ky ishte një ndër rastet më të rënda të dhënies së makinës në mënyrë të rrezikshme në 10 vitet fundit, ndërsa e konsideroi Careyn me fat që ishte gjallë.

Vetë ky i fundit, duke folur pas dhënies së dënimit tha: “Kam marrë dënime që më kanë ndryshuar jetën e që do të mbeten aty përjetë. Ai ka marrë shumë më pak nga sa kam marrë unë. Ai më ndryshoi jetën”.