Kjo është një makinë e djegur një natë më parë tek vendi i quajtur Rruga e Gjanë në Shkodër. Mjeti në fjalë është në pronësi të shtetasit Ergyst Kullolli, një biznesmen i njohur në qytetin e Shkodrës bashkë me familjen e tij.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 2:34 të mëngjesit kur mjeti është djegur nga një person i paidentifikuar ende nga policia. Kjo nuk është ngjarja e parë për biznesmenin Kullolli sepse para 6 ditësh teksa po shkonte në shtëpi në orët e mbrëmjes është goditur pas koke nga një person i paidentifikuar dhe ka rënë në tokë pa ndjenja.

Biznesmeni mban mend vetëm disa hapa dhe asgjë më shumë sepse menjëherë ka humur vetëdijen. Pasi është dërguar në urgjencën e spitalit rajonal të Shkodrës ka marrë mjekim ndërsa ka disa shqetësime në duar dhe kokë si shkak i goditjes.

Pas 6 ditësh biznesmeni Kullolli përballet me një tjetër ngjarje të rëndë. Kësaj here mjeti i tij që ndodhej i parkuar përpara dyqanit që ka tek Rruga e Gjanë është djegur me benzinë.

Star Plus ka arritur që të sigurojë edhe pamjet e momentit të djegies së mjetit në fjalë. Një person afrohet qetësisht tek makina tip Passat me targë AA 628 BF dhe e lyen me lëndë djegëse.

Pasi sigurohet se në rrugë nuk ka lëvizje menjëherë i vë flakën mjetit dhe largohet me shpejtësi. Ky moment është fiksuar nga dy kamera të sigurisë të subjekteve aty afër të cilat Star Plus i ka siguruar.

Ergyst Kullolli dhe familja e tij kanë një pikë lëndë ndërtimi tek Rruga e Gjanë ndërsa posedojnë edhe një hotel të tyrin në plazhin e Velipojës.

Asnjëherë më parë nuk kanë patur probleme apo konflikte ndaj janë të shtangur nga këto ngjarje të njëpasnjëshme, fillimisht duke e goditur pas koke dhe 6 ditë më pas duke i djegur makinën.

Biznesmeni shkodran ka deklaruar se atij tashmë i rrezikohet jeta pas këtyre dy ngjarjeve radhazi ndërsa ka kërkuar një angazhim shumë më të madh të forcave të policisë për të zbardhur këto sulme ndaj tij që i rrezikojnë jetën.

Dyshimet e para të familjes Kullolli edhe pse nuk kanë asnjë konflikt janë për shkak të konkurencës për bizneset që kanë. Policia ende nuk ka zbardhur asnjërën prej këtyre dy ngjarjeve.

Pak ditë më parë u djeg makina e Arta Shirokës, menaxhere në një Call Center. Mjeti i saj është vjedhur në hyrje të qytetit gjatë natës dhe është djegur në lagjen Rus, tek vendi i quajtur tek Vaj Guri.

Fillimisht u tha se është defekt teknik por pas ekspertizës nga zjarrëfikëset u vërtetua se ai mjet është djegur me lëndë djegëse. Ngjarjet kriminale në Shkodër vazhdojnë të jenë të pranishme duke rrezikuar jetën e qytetarëve si në këto raste të fundit.

PUBLICITET