Emërimi i trajnerit italian, Edy Reja është vetëm çështje orësh.

Burime bëjnë me dije se trajneri 73-vjeçar ka arritur një marrëveshje me presidentin Armando Duka dhe zyrtarizimi i tij pritet të bëhet nga dita e nesërme. Italiani do të zëvendësojë trajnerin Christian Panuccin dhe do të drejtojë kuqezinjtë deri në fund të kualifikueseve Euro 2020.

Eduardo Reja, ishte kandidatura më favorite krahasuar me emrat e tjerë të përfolur për të marrë “timonin” e kombëtares. Takimi i parë mes presidentit Duka dhe italianit ishte në Shkodër, ku Reja u pa në shkallët e “Loro Boriçit” gjatë ndeshjes së Shqipërisë dhe Turqisë.

Më herët, për të marrë drejtimin e Shqipërisë u përfol dhe Alberto Zaccheroni, Francesco Guidolin, por edhe Besnik Hasi.

Profil/ Kush është Eduardo Reja?

Eduardo Reja ka lindur në Lucinico, në një familje me origjinë sllovene. Ai u bë pjesë e SPAL që në moshë shumë të vogël. Reja debutoi në Seria A shumë i ri dhe së bashku me shokët e skuadrës Fabio Capello, Luigi Pasetti e Adriano Zanier, fituan Kampionatin e moshave të vitit 1965. Në karrierën e tij si futbollist që zgjati nga viti 1963-1973, Reja veshi fanellën e Palermos, Alessandria dhe Beneventos, më të cilin mbylli karrierën si lojtar.

Pasi vari “këpucët në gozhdë”, Reja nisi aventurën si trajner në vitin 1979, duke marrë drejtimin e një sërë skuadrash të nivele të ulëta, deri sa mbërriti te Seria B. Ai mori drejtimin e Pescara në sezonin 1989-1990, pas shkarkimit të Ilario Castagner. Në vitin 2008, karriera e tij mori një kthesë shumë të rëndësishme. Reja u konfirmua në krye të ekipit napolitan në sezonin 2008-2009, me të cilin pati një rrugëtim shumë të suksesshëm.

Sezoni i dytë i Napolit nën drejtimin e tij, nuk i ngjau shumë të parit dhe pas disa rezultateve negative, Reja largohet dhe në vendin e tij vjen Roberto Donadoni. Presidenti De Laurentiis në një intervistë që ka pasur më herët, i pyetur për bashkëpunimin e tij me Rejan është shprehur se e konsideron “si një mik, që e ka gjithmonë derën hapur”.

Më 10 shkurt 2010, Reja merr drejtimin e Lazios. Debutimi i tij në stolin e Biancocelesti, ishte kundër Parmës, ku fitoi falë dy golave të Guglielmo Stendardo dhe Mauro Zárate.

Kjo fitore ishte shumë e rëndësishme, pasi ekipi nuk po ndjenjte “shijen” e fitores prej shumë kohësh. Eksperienca e tij tek Lazio zgjati 4 vjet. Më 12 qershor 2014, ai u largua nga Lazio pasi e renditi në vendin e 9-të me 56 pikë, nga të cilat 36 pikë në 21 ndeshje.

Një vit më vonë, më 4 mars 2015, ai u punësua si trajner i Atalanta, në vend të Stefano Colantuono, ky i fundit i pushuar nga puna. Kjo do të ishte përvoja e fundit e Rejës si trajner, i cili njofton pensionimin e tij në verën e vitit 2017.

Artikulli paraprakARDIAN DAJTI, DREJTORI I RI I SPITALIT TE SHKODRES
Artikulli tjetërPRONARI ZBULON PREDHA ANTI-TANK TEKSA PASTRONTE NDËRTESËN, NDËRHYJNË FORCAT E ARMATOSURA (FOTOT)