Komentatori, gazetari dhe staticieni i mirënjohur Ymer Striniqi është kujtuar edhe në trevjetorin e ndarjes së tij nga jeta nga kolegët dhe nxënësit e tij. Pasditen e së mërkurës në kompleksin sportiv “Fredi”-Juban, është zhvilluar edicioni i tretë i kupës me emrin e tij.

Në të kanë marrë pjesë katër ekipet e televizioneve lokale të Shkodrës, pikërisht ato të Star Plus TV, TV1 Channel, TV Rozafa dhe RTSH. Sipas shortit të hedhur, ndeshja e parë ka qenë ajo në mes RTSH dhe Star Plus, fituar nga i pari me rezultatin 3-2 që siguroi kësisoj daljen në finale.

Më pas është zhvilluar ndeshja e dytë, ajo në mes TV1 Channel dhe TV Rozafa. Ka fituar kjo e fundit 4-1 duke siguruar edhe ajo finalen. Finalja e edicionit të tretë të kupës “Ymer Striniqi” e arbitruar nga Agron Kastrati dhe e vëzhguar nga Mhill Shkëmbi.

Ndeshja ka qenë e fortë dhe në përfundim të saj është arritur rezultati i barabartë 2-2. Edhe shtesa 5 minutëshe nuk ka dhuruar gol dhe kësisoj të dy ekipet i janë drejtuar pikës së penalltisë për shpalljen e fituesit.

Më të saktë janë treguar lojtarët e RTSH-së të cilët kanë fituar 3-1 dhe kësisoj janë shpallur fitues të kësaj kupe. Kupa u dorëzua nga vajza e professor Ymerit, Edlira Striniqi e cila shoqërohej nga djali i saj të cilët shprehën emocionet dhe falenderimet e tyre sa i përket vazhdimsisë së realizimit të edicionit “Kupa Ymeri Striniqi”.

Për njeriun simbol të gazetarisë dhe shembull për të gjithë padyshim që kupa me emrin e tij do të vazhdojë edhe në edicionet e ardhshme.