Edon Hasani mund të jetë afrimi i parë i ekipit të Vllaznisë.

Ai është ndër emrat e parë që është kontaktuar nga ana e drejtuesve të klubit. Mes lojtarit dhe përfaqësuesve të klubit shkodran është lënë gjithçka e hapur për sa i përket vazhdimësisë.

Lojtari mesfushor e kishte theksuar para pak kohësh se ka mirëpritur ofertën e Vllaznisë, por për të vendosur do t’i duhet edhe pak kohë, pasi në drejtim të tij nuk kanë munguar edhe interesimet nga skuadrat e tjera.

Kjo ka bërë që të mos ketë një vendim të menjëhershëm nga ana e tij. Nga ana tjetër, edhe drejtuesit e klubit e kanë pranuar faktin se me këtë lojtar kanë nisur bisedimet.

Tani që puna ka filluar për ndërtimin e skuadrës për edicionin e ri, drejtuesit e klubit do të kërkojnë që sa më shpejt të fillojnë edhe kompletimin e skuadrës së tyre.

Momentalisht pranë skuadrës nuk ka asnjë afrim. Koha është e mjaftueshme, për më tepër që Vllaznia e sezonit të ardhshëm pritet të jetë kryesisht e bazuar te futbollistët shkodranë, ndërkohë që mund të blihen 3-4 futbollistë të tjerë, emrat e të cilëve nuk bëhen ende të ditur.

Shpresat duket se janë për të bërë gjëra të mira, megjithatë duhet parë deri në fund kjo gjë. Ekipit i duhet medoemos që të bëjë afrimet e duhura, pasi kontingjenti që ka deri tani në dispozicion tekniku Cungu nuk është i mjaftueshëm.

Sipas vetë numrit një të pankinës, skuadra ka shumë nevojë për ndërhyrje në merkato. Çdo sektor kërkon përforcime cilësore, por sulmi është sektori i vetëm deri tani që nuk ka asnjë lojtar me eksperiencë në përbërje të tij.

Artikulli paraprakKUÇ, BANORËT ANKOHEN PËR MUNGESEN E RRUGËS
Artikulli tjetërPLATFORMA E BASHKËQEVERISJES SË SHQIPTARËVE