Euro ka humbur sërish pikë sot në tregun e brendshëm valutor, për të dytën ditë radhazi. Në rënie kanë qenë dhe valutat e tjera kryesore, si dollari dhe paundi.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 125.76 lekë, 0.07 lekë më pak se një ditë më parë.

Ky është niveli më i lartë që nga 14 qershor i, periudhë kur Banka e Shqipërisë filloi të ndërhyjë në tregun e brendshëm duke blerë valutë, me synim që të ndalonte rënien e euros, që kishte dalë jashtë parashikimeve.

Pas këtyre ndërhyrjeve, monedha e përbashkët u stabilizua, duke u këmbyer në kuotën e 126 lekëve.

Ekspertët e tregut valutor pohojnë se rënia e euros është e lidhur tërësisht me efektet sezonale, teksa gjithnjë në fillim të gushtit ka një prurje të lartë valutore, si nga turistët ashtu dhe nga emigrantët që vijnë në Shqipëri për pushime e për të takuar të afërmit.

Aktorët e tregut pohojnë se gjithsesi rënia është e frenuar, për shkak se Banka e Shqipërisë mbetet aktive në treg, për të mos lejuar nënçmim të fortë të monedhave të huaja.

Në rënie ditën e sotme ishte dhe dollari, që u këmbye me 107.27 lekë, me një rënie prej 0.45 lekë në krahasim me ditën e mëparshme.

Ekspertët e tregut presin që valutat të vijojnë të mbeten të dobëta përgjatë muajit gusht.

Euro arriti nivelin më të ulët në 10 vjet në fillim të muajit qershor, duke zbritur në 124.17 lekë, teksa e kishte nisur vitin duke u këmbyer me gati 134 lekë.

Oferta e lartë për valutë nga kanale formale e informale, konvertimet e kapitalit të bankave dhe më pas ndikimi psikologjik për një rënie të mëtejshëm vlerësohen si arsyet kryesore që kanë ndikuar në këtë tendencë.

Artikulli paraprakKPK JEP VENDIMIN, KONFIRMOHET NË DETYRË GJYQTARI DRITAN HALLUNAJ
Artikulli tjetërHARROJENI ‘HËNËN E PËRGJAKUR’, QIELLI SOT DHURON SPEKTAKLIN E RRALLË