Janë miratuar parimisht pa diskutime dhe debate në Komisionin e Ekonomisë paketa fiskale për vitin 2020, si dhe projektligji i diskutueshëm i fiskalizimit.

Gjatë komisionit, ish ministri i Financave Arben Ahmetaj teksa ka relatuar projektligjin e fiskalizimit, ka kërkuar që të garantohet biznesi se nuk do të ketë kosto shtesë.

“Sistemi të jetë i thjeshtë meraku është biznesi i vogël, janë 110 mijë biznese të vogla që mund të kenë vështirësi teknologjike dhe procedurale. Duhet të jetë pa kosto, sa do të kushtojë fatura elektronike sa do të kushtojë mirëmbajtja këtë e duam të saktë” deklaroi Ahmetaj.

Ndërkohë nga ana tjetër Ministrja e Financave Anila Denaj ka prezantuar edhe një herë përfitimet që do të ketë ekonomia dhe buxheti i vendit nga ky projektligj.

“Vjen si një qasje  sistematike ndaj informalitetit në ekonomi dhe tentativave për evazionit fiskal. Kjo do të jetë një mënyrë që do të ndryshoje në mënyrë të rrënjësishme sjelljen e informacioneve në kohë reale për të analizuar këto fenomene nga strukturat përgjegjëse” u shpreh Denaj.

Po ashtu në komision është zyrtarizuar edhe amendamenti i rivlerësimit të banesave, ku të gjithë qytetarët do të kenë mundësi që nga 1 Janari,  të rivlerësojnë banesën e tyre.

Artikulli paraprakDURRËS/ BILANCI I INSPEKTIMEVE NË TRE BASHKI: 180 GODINA TË PABANUESHME…21 DO TË SHEMBEN
Artikulli tjetër“ANULONI 150 MLN DOLLARË PËR 10 OLIGARKË E JEPUANI ATYRE QË KANË NEVOJË”, BASHA I PËRGJIGJET RAMËS: KY ËSHTË PROPOZIMI YNË ME 3 PIKA