Banka e Shqipërisë publikoi për herë të parë rezultatet financiare kombëtare, të cilat kanë për qëllim të llogarisin kursimet në para në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Llogaritë totale e nxjerrin ekonominë shqiptare më 2017 deficitare, me rreth 702 miliardë lekë, vlerë kjo e akumuluar ndër vite.

Totali i detyrimeve financiare (borxheve) në ekonomi rezultoi 6,1 trilionë lekë, teksa totali i mjeteve (kursimeve) ishte rreth 5,4 trilionë lekë. Individët, suficitarë në kursime, financuesit kryesorë të qeverisë dhe biznesit. Prej nga vijnë dhe ku shkojnë paratë në ekonominë tonë.

Në Shqipëri vetëm familjet e kanë bilancin pozitiv cka do të thotë se kursimet i kanë shumë më të larta se borxhet. Në fund të të vitit 2017 pasuria neto e familjeve shqiptare i kaloi te 1.55 trilionë lekët (rreth 12 miliardë euro) duke u bërë kështu huadhënësi kryesor për qeverinë dhe bizneset.

Të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë, bizneset, qeveria dhe disa pjesë të sistemit financiar janë në borxhe. Rekordin e mban qeveria, e cila ka borxhin më të lartë në vend, prej rreth 5.6 miliardë eurosh. Edhe bizneset raportojnë detyrime të larta, por një pjesë e konsiderueshme e tyre është investime.

Për herë të parë, Banka e Shqipërisë publikoi rezultatet e një “skaneri” të ekonomisë shqiptare, i cili tregon flukset e kursimeve (mjetet) dhe borxheve (detyrimet) për të gjithë sektorët nga bankat, bizneset, qeveria, individët dhe flukset me jashtë vendit.

Me bilanc pozitiv (Diferenca ndërmjet mjeteve dhe detyrimeve), paraqiten ekonomitë familjare dhe sektori jorezident pozicionohen në kreditorë ose huadhënës neto, ndërkohë që, korporatat jofinanciare dhe qeveria e përgjithshme vijojnë në pozicion debitor ose
huamarrës neto.

Për shkak të natyrës së biznesit, korporatat financiare vijojnë në pozicion pozitiv / huadhënës neto, edhe pse të ulët. Llogaritë totale e nxjerrin ekonominë shqiptare më 2017 deficitare, me rreth 702 miliardë lekë ose 5.4 miliardë euro, vlerë kjo e akumuluar ndër vite.

Totali i detyrimeve financiare (borxheve) në ekonomi rezultoi 6,1 trilionë lekë, teksa totali i mjeteve (kursimeve) ishte rreth 5,4 trilionë lekë.

Mjetet dhe detyrimet e sektorit financiar paraqiten në volume të konsiderueshme krahasimisht me ato të sektorëve të tjerë, për shkak të rolit ndërmjetës që kanë ato në ekonomi.

Për ekonomitë familjare, mjetet financiare në thelb tejkalojnë detyrimet, kryesisht për shkak të nivelit të lartë të investimeve në formën e depozitave, si dhe investimeve në formën e pjesëmarrjeve në kapitalin e bizneseve.

Për bizneset, detyrimet tejkalojnë pasuritë financiare në mënyrë të konsiderueshme, me rreth 1.5 trilionë lekë. Kjo për faktin se: së pari, krahas kredive dhe letrave me vlerë të borxhit, detyrimet përfshijnë gjithashtu vlerën e tregut të aksioneve të emetuara nga korporatat; dhe së dyti,

mjetet jofinanciare të korporatave të financuara nëpërmjet kapitalit dhe kapitalit të huazuar nuk janë raportuar në llogaritë financiare. Krahasimisht me dimensionet e sektorëve të tjerë, mjetet dhe detyrimet financiare të sektorit të qeverisë së përgjithshme janë minimale.

Kursimet totale 5.4 trilionë lekë, 33% i zotërojnë familjet

Totali i mjeteve financiare të sektorëve të brendshëm të ekonomisë (sektorëve rezidentë), për vitin 2017, shënoi 5,4 trilionë lekë, në rritje me 9% në harkun kohor të pesë viteve (2013-2017).

Mjetet financiare të të gjithë sektorëve, duke përfshirë edhe marrëdhëniet financiare me jashtë (jorezidentët) ishin 7.1 trilionë lekë, ato u rritën me rreth 857 miliardë lekë (ose 14%) gjatë periudhës.

Analiza tregon se në përgjithësi, të gjithë sektorët kanë zgjeruar aktivitetin e tyre, ku rritja më e madhe është vërejtur në sektorin e biznesit dhe korporatat financiare.

Rreth 2, trilionë lekë (ose 38%) e totalit të mjeteve financiare të brendshme i përkasin sektorit të korporatave financiare. Ky sektor përbëhet nga banka qendrore (24%), korporatat e tjera depozituese (69%), fondet e investimit (4%), shoqëritë e sigurimit dhe fondet e pensionit (1%) dhe institucionet e tjera financiare (2%).

Gjatë periudhës 2013-2017, mjetet financiare të sektorit financiar u zgjeruan me 321 miliardë lekë. Sektori i dytë më i rëndësishëm, ai i ekonomive familjare, zotëron rreth 33% të totalit të mjeteve financiare të brendshme.

Në harkun kohor të 5 viteve, mjetet e këtij sektori u zgjeruan me rreth 88 miliardë lekë dhe në fund të 2017-s shënojnë 1,7 trilionë lekë. Biznesi ose korporatat jofinanciare zotërojnë rreth 1 trilion lekë mjete financiare, shifër e cila përbën 20% të totalit të mjeteve të brendshme financiare.

Mjetet financiare në zotërim të qeverisë së përgjithshme vlerësohen në 492 miliardë lekë, ose 10% të totalit të sektorëve rezidentë.

Sektori jorezident, i cili përfaqëson detyrimet e huaja të sektorëve të ekonomisë vendase kundrejt pjesës tjetër të botës, u zgjerua me 412 miliardë lekë gjatë harkut kohor 5-vjeçar. Ky sektor përfaqësoi 24% të totalit të mjeteve financiare, në fund të vitit 2017.