Një sasi eksplozivi është vendosur në banesën ku jeton drejtori i OSHEE-së për Fushë Krujën, Besnik Masha.

Lënda plasëse ka shpërthyer rreth orës 02:45 minuta të 10 shtatorit, në banesën e Xhavit Mashës, të atit të Besnikut.

Nga shpërthimi mësohet se ka dëme të mëdha materiale por fatmirësisht jo në njerëz. Është dëmtuar automjeti që ndodhej i parkuar në oborr, dyer, dritare, muret dhe çatia.

“Më 10.09.2018, rreth orës 03:00, brenda murit rrethues të banesës së shtetasit B.M. 29 vjeç,( Përgjegjës i OSHEE-së Fushë-Krujë ) banues në lagjen “Pengile” Krujë, është hedhur një sasi lënde plasëse. Si pasojë e shpërthimit ka vetëm dëme materiale. Grupi hetimor po punon për identifikimin e autorëve dhe sqarimin e shkaqeve të ngjarjes” informoi sot policia e Durresit.

Familja Masha njihej si familje e mirë dhe pa konflikte. Dyshohet që tritoli të ketë lidhje me detyrën e të birit Besnikut si drejtor i OSHEE-së në Fushë Krujë.

Besnik Masha u shpreh se nuk ka asnjë konflikt me askënd si për shkak të detyrës apo rrethana të tjera.

“Jam i shokuar nga ngjarja e mbrëmshme, pasi kam qenë aty brenda me dy fëmijët e mi të mitur, vajzën 10 muajshe dhe tjetrën 3 vjeçe. Kam 4 vjet në këtë detyrë dhe skam patur një problem me një njeri, unë dal orë pa orë në punë dhe nuk i jam ruajtur njeriu”.

Drejtori i OSHEE-së, Masha ka treguar se ka qenë i ati i cili ka ndjerë aromën e fitilit të barutit: “Ai doli të shohë jashtë banesës, e ka ruajtur vetëm fakti që në momentin e shpërthimit ishte para makinës dhe shpërthimi ka qenë pas saj.

Kërkoj zbardhjen e ngjarjes dhe autorët të vihen para drejtësisë. Si kam bërë keq askujt.”, ka deklaruar Masha.