Rritja e rrjeteve të koduara ka çuar në një rritje të fuqishme të sasive të barnave të paligjshme që po dërgohen nga Holanda, një prej prodhuesve më të mëdhenj të ilaçeve në botë, nëpër destinacione të tjera, përmes letrave apo pakove postare.

Autoriteti holandez i Doganave ka paralajmëruar se rritja e mprehtë e sekuestrimeve të suksesshme nga shërbimi postar i vendit është një tregues i trendit në rritje, të cilin po përpiqet ta luftojë me çdo mundësi.

Sasia e ekstazisë dhe amfetaminës së gjetur në dërgesat postare është trefishuar apo edhe më shumë sesa kaq, nga 137 kg të kapura në vitin 2016 në 460 kg vitin e kaluar, siç zyrtarizojnë zyrtarët doganorë, por këto shifra konsiderohen gjithsesi vetëm një fraksion i panoramës së plotë e më të madhe.

Holanda po kthehet në narkoshtet. DASH: Vend tranzit për drogat e forta, kryesisht kokainën.

Që të kapen, barnat apo narkotikët, nevojitet një skaner që do të pikasë parregullsitë në një letër apo në një kuti, por edhe një prokuror që do të miratojë kërkesën që pakoja e dyshimtë të hapet.

“Kemi vënë re një rritje të trafikut të të gjitha drogave sintetike”, thotë Kim Kuipers, një zyrtar i lartë i Autoritetit holandez Doganor. “Por, deri më tani, ajo që kemi parë të dalë më shumë nga Holanda drejt vendeve jo anëtare të BE-së është ekstazia dhe amfetamina”.

Organizatat kriminale në Holandë janë njëkohësisht prodhues të mëdhenj dhe eksportues të drogave sintetike, të cilat eksportohen përmes kontenierëve nëpër anije apo kamionë, por së fundi thuhet të ketë shënuar rritje edhe “blerja online”, duke shfrytëzuar kështu edhe shërbimin postar.

Shtetet e Bashkuara, Australia dhe Zelanda e Re janë marrësit kryesorë jashtë Europës të dërgesave postare me përmbajtje të paligjshme.

I ashtuquajturi “rrjet i errët” (Dark web), që është një seri faqesh interneti në një rrjet të koduar, të cilat nuk mund të gjenden përmes motorëve tradicionalë të kërkimit, kanë qenë fokusi kryesor i një serie operacionesh policore së fundi.

Vitin e kaluar, agjencitë ligjzbatuese në SHBA, Kanada dhe Europë, përfshi edhe Britaninë e Madhe, kryen 61 arrestime dhe sekuestruan gati 300 kg drogë, 51 armë zjarri dhe më shumë se 6.2 milionë euro, pasi goditën 50 llogari të ngritura në këtë “rrjet të errët”.