Një 33-vjeçar, anëtar i bandës së njohur të grabitësve të quajtur “Babagjyshët” është ekstraduar nga Holanda drejt vendit tonë. Ekstradimi i tij është kryer pasi Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dënuar me 30 vite burg për disa akuza të kryera si pjesëtar i grupit të strukturuar kriminal në fushën e vjedhjes me armë.
Fatmir Pjetri, 33-vjeçari anëtar i bandës së grabitësve të quajtur “Babagjyshët” është ekstraduar nga Holanda drejt Shqipërisë.

Ekstradimi i tij është kryer pasi Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dënuar me 30 vite burg nën akuzat si pjesëtar i grupit të strukturuar kriminal në fushën e vjedhjes me armë.
Në vitin 2017 Pjetri është ndaluar provizorisht nga autoritetet holandeze, me qëllim ekstradimin e tij në Shqipëri.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë e ka dënuar me 30 vjet burg për veprat penale “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.

Shtetasi Fatmir Pjetri ka qenë pjesë grupi kriminal “Babagjyshët” që gjatë periudhës Janar-Dhjetor të vitit 2013 dhe në vazhdim, në qytetet e Tiranës, Laçit, Fushë-Krujës, Kuçovës dhe Durrësit kanë grabitur me armë disa argjendari në këto qytete.

Ata dyshohen se kanë kryer të paktën 9 grabitje, 7 prej të cilave të ndodhura në Shqipëri dhe dy në Strugë të Maqedonisë, ku dhe mbeti i vrarë një prej bandës së babagjyshëve.
Mes grabitjeve të famshme të grupit është ajo e vitit 2014 në një qendër tregtare në Tiranë ku u futën dhe morën një sasi të konsiderueshme floriri.

Hetimet e asaj kohe zbardhën mekanizmin e funksionimit të grupit ku fillimisht vidheshin makinat që do të përdoreshin në krim, ato më pas digjeshin duke u ndërruar në ikje për të humbur gjurmët dhe 11 anëtarët kishin detyra të ndara mes tyre nga pikasja e biznesit që do grabitej e deri tek vendosja e orarit apo veshja që do përdorej.

Vjedhjet për të cilat akuzohet
1. Më dt. 11.01.2013, rreth orës 6 pasdite, është kryer vjedhja e mbetur në tentative me armë, në bashkëpunim, i një argjendarie pranë stacionit të trenit, Durrës, pronë e shtetasit A.F. Në këtë vjedhje të mbetur në tentativë kanë marrë pjesë shtetasit Fatmir Pjetri, Agustin Sula dhe Saimir Kala.

2. Më datë 28.09.2013, rreth orës 19.10 është vjedhur me armë në bashkëpunim, dyqanin argjendari, në pronësi të shtetasit A.B. ndodhur në Lagjen “Llukan Prifti”, Kuçovë. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Ilir Kupa, Agustin Sula, Fatmir Pjetrin dhe Hajdar Sefa, ku kanë marrë një sasi të konsiderueshme floriri.

3. Më datën 05.11.2013, rreth orës 14.30, është vjedhur me armë, në bashkëpunim, argjendaria në pronësi të shtetasit S. R. dhe gjatë vjedhjes është plagosur pronari i saj, ndodhur në qendër të qytetit Laç. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Ilir Kupa, Hajdar Sefa, Agustin Sula dhe Fatmir Pjetri, ku kanë marrë një sasi të madhe lekesh.

4. Më datë 25.11.2013, rreth orës 13.45, është vjedhur nga tre persona të armatosur “Argjendari Gj….”, në vendin e quajtur tek tregu i qytetit Fushë-Krujë, në pronësi të shtetases P. B., ku janë vjedhur një sasi bizhuterish, si edhe një sasi rreth 500.000 (peseqind mije) lekë. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Ilir Kupa, Fatmir Pjetri dhe Agustin Sula.

5. Më datë 24.12.2013, rreth orës 17.30, është kryer vjedhja me armë në bashkëpunim Argjendaria “G….”, ndodhur në qendrën tregtare “TEG”, në fshatin Lundër, Tiranë. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Ilir Kupa, Agustin Sula, Fatmir Pjetri dhe Julian Qerushi, ku kanë marrë një sasi të konsiderueshme floriri. Autorët e kanë realizar këtë vjedhje, të veshur si babagjyshë të festës së Vitit të Ri.

6. Më datën 14.04.2014, rreth orës 10;36, është kryer vjedhja me armë në bashkëpunim nga katër persona të maskuar me uniforma policie dhe të armatosur, i kompleksit të shërbimeve A.M.L, ndodhur ne Rrugën “Konferenca e Pezës”, Tiranë ku kanë marrë shumën prej 1 000 000 lekë. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Fatmir Pjetri, Dritan Kola, Agustin Sula dhe Mark Shpendi.

7. Më dt. 22.04.2014, rreth orës 09:30, është kryer vjedhja me armë në bashkëpunim nga dy persona të maskuar dhe të armatosur që kanë lëvizur me motor, i argjendarisë “AÇ”, ndodhur në bulevardin “Bajram Curri”, përballë Gjykatës së rethit Gjyqësor Tiranë, në pronësi të shtetasit A. Ç., ku kanë marrë shumën prej rreth 600 000 lekë. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Fatmir Pjetri dhe Agustin Sula.

8. Më dt. 03.06.2014, në orët e drekës, është kryer vjedhja me armë në bashkëpunim nga dy persona të maskuar dhe të armatosur, i pikës së skrapit në rrugën dytësore Vorë-Marikaj, në pronësi të shtetasit R. Z., ku kanë marrë shumën prej 150 000 lekë. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Fatmir Pjetri dhe Agustin Sula.

9. Në datë 30.04.2014 është vjedhur argjendaria në pronësi të shtetasit R.H, ndodhur në Strugë, ku është marrë një sasi prej 5.5 kg flori. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Agustin Sula, Fatmir Pjetri, Miljan Elezi ose i quajtur Artur Tafani, Mark Shpendi dhe Dritan Kola. Këtë vjedhje, autorët e kanë realizuar të veshur si femra. Gjatë vjedhjes ka pasur përplasje me armë me personat e argjendarisë dhe policisë maqedonase.

10. Në datë 29.07.2014 është vjedhur një argjendari, ndodhur në Dibër të Madhe, ku gjatë vjedhjes, autorët kanë shkëmbyer zjarr dhe është vrarë njëri nga bashkëpunëtorët në kryerjen e kësaj vjedhjeje, shtetasi Miljan Elezi (alias Artur Tafani). Në këtë vjedhje është marrë një sasi prej 12 kg flori. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Agustin Sula, Fatmir Pjetri, Miljan Elezi (alias Artur Tafani), Saimir Kala dhe Dritan Kola.

Artikulli paraprakTËRMETI I 21 SHTATORIT, VJEN AVIONI I PARË ME NDIHMA TË BE-SË PËR SHQIPËRINË
Artikulli tjetërQELITË SPECIALE PËR IZOLIMIN E MAFIOZËVE, BURGJET KU PO PËRGATITEN