Një ditë pas vrasjes së biznesmenit Arjan Ferracaku në Shkodër e cila është ende pa autorë, zbulohen detaje të reja. Burimet bëjnë me dije se pistat ku po heton policia janë dy, konkretisht ajo për konkurrencë dhe për ndonjë gjobë të pa paguar nga viktima ndaj grupeve kriminale.

Vrasja e 30-vjecarit ndodhi dje rreth mesditës në zonën e Livades, pranë fshatit Dobraç. Biznesmeni ishte adhurues i kuajve dhe është qëlluar disa herë me armë teksa kishte hipur sipër kalit, i cili gjithashtu ka marrë dy plumba.

Mendohet se autorët e kanë ndjekur të riun përreth 50 metra dhe më pas kanë qëlluar me 15 plumba, 7 prej të cilëve kanë prekur biznesmenin i cili ka vdekur menjëherë.

Mësohet gjithashtu se 30-vjeçari ishte me dy djemtë e hallës kur ndodhi ngjarja dhe dyshohet se viktima dhe autorët kishin një takim në atë zonë. Viktima nuk ishte i njohur si person problematik dhe ishte baba i dy fëmijëve. Familja e tij njihet në Shkodër si pronare e kompanisë së prodhimit të plastikës “Firma Ferracaku”, ndërsa kishte dhe disa biznese në Velipojë.

Sipas burimeve viktima ka qenë në konflikt para një viti me një biznesmen fqinj për hotel restorant ‘Fantazia’ që ndodhet në Zus, sapo kalon Urën e Bunës. Në lidhje me këtë konflikt, të dyja palët kanë shkuar edhe në polici.

Artikulli paraprakGODET ME GRUSHTE ADMINISTRATORIN E UJËSJELLËSIT, ARRESTOHET 33-VJEÇARI
Artikulli tjetërVRASJA E FERRACAKUT, NARD NDOKA THIRRJE KRYEMINISTRIT: SHKO NË SHKODËR, ÇLIROJE POLICINË NGA KRIMI