Mbledhja e Këshillit të Ministrave u shoqërua me emërimin e tre zëvendësministrave të rinj në kabinetin e qeverisë Rama.

Në mesin e tyre, zëvendësministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë është zyrtarisht Nina Guga. Përpara marrjes së postit në fjalë, Guga ishte drejtoresha e gjimnazit “Qemal Stafa”.

Një tjetër zëvendësministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë, i emëruar ditën e sotme është Oltion Rrumbullaku, i cili ka ushtruar profesionin e tij si pedagog pranë Departamentit të Financës pranë FEUT. Rrumbullaku ka përfunduar studimet në degën e Financës, Fakultetin e Ekonomisë në UT në vitin 2002 dhe po ashtu studimet Master në të njëjtin vend në vitin 2007.

Në vitin 2011 ka qenë pedagog vizitor për një semestër në George Washington University, nga programi Junior Faculty Development Program. Që nga viti 2002 është pedagog pranë Departamentit të Financës pranë FEUT, dhe prej vitit 2007 është lektor në lëndën Taksimi, për të cilën ka përgatitur dhe leksionet bazë të kësaj lënde.

Gjatë kësaj kohë është angazhuar në disa projekte që kanë lidhje me sistemin tatimor dhe financat publike, nëpërmjet disa prej institucioneve publike, që nga Ministria e Financave dhe institucione të tjera të varësisë.

Ju kujtojmë se më parë posti i zëvendësministrit të Arsimit të Sportit dhe Rinisë mbahej nga Redi Shtino, i cili ka dhënë dorëheqjen 4 ditë më parë.