Vendi i mbetur bosh pas largimit të trajneres Sadije Gogës nga kjo detyrë është zënë nga një trajner tjetër tek Vllaznia në volejboll për femra.

Dhe në fakt, kemi të bëjmë me një emër shumë të njohur. Ai është Mark Kroqi. Njeriu që drejton Sportklub Vllazninë duket se është detyruar të veshë sërish tutat e trajnerit.

Ai ka ndërmarrë një tjetër iniciativë shumë domethënëse. Një vit më parë shpalli kampion për herë të parë në historinë e tij ekipin e meshkujve të Vllaznisë.

Natyrisht që Kroqi do ta ketë jo pak të vështirë të shpallë kampion edhe femrat. Megjithatë në dispozicion do të ketë një grup vajzash të reja shumë të talentuara që mund të bëjnë përpara në karrierën e tyre.

Ndërkohë edhe tek ekipi i Vllaznisë në volejboll për meshkuj i lënë bosh pas dorëheqjes së trajnerit Adrian Mikopli, tashmë është plotësuar.

Në krye të kësaj skuadre tashmë ka një trajner të ri. Lajmi bëhet i ditur nga drejtuesit e Sportklub Vllaznia, sipas të cilëve, pas studimit të shumë kandidaturave, kjo detyrë i është besuar një emri të ri.

Bëhet fjalë për Ermal Krajën. Ai gjatë sezonit të kaluar ka mbajtur pozicionin e zëvendëstrajnerit të ekipit të parë ndërsa në këtë sezon drejtoi ekipin e të rinjve. Megjithatë tashmë atij i është besuar një tjetër detyrë shumë e rëndësishme.

Natyrisht që nuk do të jetë e lehtë sepse detyra e tij tashmë është ta rikthejë ekipin sërish në nivele të larta pas problemeve që ka kaluar kohët e fundit.