Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe Zv/drejtoresha e Përgjithshme Aida Hajnaj, inspektuan Piken e Kalimit të Kontrollit Kufitar në Muriqan për të parë nga afër zbatimin e masave lehtësuese në kuadër të sezonit turistik veror.

Ministri Xhafaj është pritur nga stafi i të dy pikave kufitare, shqiptare dhe ajo e Malit të Zi, çka tregon për një bashkëpunim dhe koordimin mjaft të mirë mes dy policive.

Minstri i Brendshëm ka kërkuar performancë të lartë nga punonjësit e policisë, shërbim sa më cilësor, eleminim të radhëve duke krijuar lehtësi, në kuadër të masave të marra, forcim të kontrollit në drejtim të parandalimit,

evidentimit dhe goditjes së trafiqeve të paligjshme dhe lëndëve narkotike, si dhe rritjen e forcës goditëse në drejtim të goditjes së paligjshmërisë, falsifikimit të dokumentave, kontrabandës, kalimit të paligjshëm të kufirit apo kontrabandimit të migrantëve të paligjshëm nga vendet e treta që hyjnë në Shqipëri nëpërmjet shtetit grek, me qëllim kalimin në vendet e BE-së.

Drejtor Veliu ka theksuar se Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit do të mbështesë Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, Shkodër me forca shtesë të FNSH-së apo shëbimeve të tjera si në Pikat e Kalimit në Muriqan, ashtu edhe në kufirin e gjelbër.

Drejtori i ri i kufirit Krenar Muça, ka theksuar se me palën malazeze kryejnë kontrolle të përbashkëta në pikat e kalimit si dhe patrullime të përbashkëta në kufirin jeshil dhe në liqenin e Shkodrës, për të parandaluar dhe goditur trafiqet e paligjshme.