OSHEE PO KONTROLLON ME GRUPE TË SHUMTA NË TERREN, 5 SHTETAS NË PRANGA. 5 shtetas janë arrestuar në Shkodër, 1 është shpallur në kërkim dhe 2 po ndiqen në gjëndje të lirë për abuzime me energjinë elektrike.

Menjëherë pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama për plan-veprimin kombëtar për të eliminuar vjedhjen e energjisë elektrike, grupe të shumta pune nga Operatori i Shpërndarjes në Shkodër kanë zbritur në terren, duke kontrolluar në të gjithë qarkun.Vëmendja kryesore është përqëndruar në qytetin e Shkodrës dhe zonat e afërta si më të mëdhatë. Drejtoria e policisë bën me dije se pas konstatimit të lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike janë arrestuar në flagrancë 5 personat e parë. Ylli Batuni, vjeç 45, banues në Shkodër është arrestuar po ashtu Petrit Brahim Bregu, vjeç 39, Agim Haxhija, vjeç 61, Gjin Shullani vjeç 68 dhe Nush Shabaj vjeç 51, ky i fundit banues në fshatin Gruemirë të Malësisë së Madhe. Po ashtu policia bën me dije se kontrolle po ushtrohen edhe tek bizneset. Në këtë mënyrë është bërë shpallja në kërkim i shtetasit Mark Kiri, vjeç 55, banues në Shkodër sepse në magazinën ushqimore “ALBATEK SKUTARI” në lagjen “Tre Heronjt” ky objekt furnizohej me energji elektrike pa matës dhe pa kontratë. Objekti ishte lëshuar me qera shtetasit N.Z vjeç 40, banues në Shkodër. Shtetasi Hajdar B vjeç 78, banues në Shkodër po ndiqet ne gjendje të lirë sepse në banesën e tij është konstatuar lidhje e paligjshme e energjisë elektrike. Në gjendje të lirë po ndiqet edhe shtetasi Gëzim N, vjeç 45, banues në fshatin Omaraj të Malësisë së Madhe po ashtu është konstatuar lidhje e paligjshme e energjisë në banesën e tij. Kontrollet nga “OSHEE” pas takimit të drejtorëve me kryeministrin Rama janë shtuar ndjeshëm. Gjatë gjithë ditës po punohet me dy turne e po ashtu edhe gjatë orëve të natës për të goditur ata që abuzojnë me energjinë. Një ditë më parë aksionet janë përqendruar në lagjen “Ndocaj”, “Mar Lula” dhe në afërsi të stacionit të trenit. Ndërsa sot grupet e inspektimit janë fokusuar në lagjet “Dërgut”, “Bahçallek” dhe komunën Bushat. Në ditët në vijim priten të tjera arrestime e procedime penale për të gjithë ata që vjedhin energjinë elektrike.  

 

[iframe width=”300″ height=”510″ src=”//www.youtube.com/embed/76gKquhpJS0″ frameborder=”0″ allowfullscreen ]