ÇMIMET PËR KËTË NIVEL TENSIONI KANË PËSUAR RRITJE NGA 9% DERI NË 21%.Open Data Albania po hulumton mbi çmimin e energjisë elektrike për konsumator biznesin. Çmimi i energjisë elektrike përcaktohet me vendim të Entit Rregullator të Energjisë.

 Çmimet e energjisë elektrike për biznesin janë të diferencuara në bazë të nivelit të tensionit ku janë lidhur dhe jo në bazë të konsumit. Bazuar në nivelin e tensionit dallohen tre grupe të mëdha: konsumatorë biznesi që furnizohen me 35 kV; konsumatorë biznesi që furnizohen me 20;10;6 kV dhe konsumatorë biznesi që furnizohen me tension të ulët. Për bizneset që furnizohen me 35 kV çmimi është i unifikuar për çdo kategori biznesi. Kështu, duke filluar nga 1 Janar 2015, këto biznese do të paguajnë 12% më shumë për energjinë elektrike. Çmimi i energjisë elektrike nga 10,2 lek/kËh është rritur në 11,4 lek/kËh. (Çmimet janë të llogaritura  me TVSH). Bizneset që furnizohen me 20; 10; 6 kV kanë funksionuar me tarifa të diferencuara sipas llojit të biznesit. Por duke filluar nga 1 Janar 2015, këto tarifa janë unifikuar në një çmim prej 13,2 lek/kËh, me përjashtim të çmimit të energjisë për furrat e bukës i cili ka mbetur i pandryshuar në 8,52 lek/kËh. Çmimet për këtë nivel tensioni kanë pësuar rritje nga 9% deri në 21%. Rritjen më të madhe të çmimit të energjisë elektrike e kanë pësuar bizneset bujqësore ku çmimi për to nga 10,44 lek/kËh është bërë 13,2 lek/kËh, pra 21% më i lartë krahasur me vitin 2014. Po kështu, bizneset që furnizohen me tension të ulët (0.4 kV) kanë pësuar një unifikim të tarifave për vitin 2015. Çmimi i energjisë elektrike për këtë nivel tensioni është përcaktuar 16,8 lek/kËh, duke pësuar një rritje nga 13% deri në 25% për lloje të ndryshme të bizneseve. Bujqësia dhe industria janë prekur nga një rritje prej 25% të tarifave të energjisë elektrike, ndërsa për furrat e bukës kemi një rënie me 1% të çmimit të energjisë elektrike nga 1 Janar 2015. Për vitin 2015, kemi një rritje të tarifave të energjisë elektrike, ku sektori më i prekur nga rritja është bujqësia dhe më pak të prekur mbeten furrat e bukës, të cilat kanë dhe nivelin më të ulët të tarifave të energjisë elektrike. 

[iframe width=”300″ height=”510″ src=”//www.youtube.com/embed/xL0je1kGHvw” frameborder=”0″ allowfullscreen ]