PËRFITUESIT DUHET TË BËJNË VETËDEKLARIM , PËR TË MARRË PARATË. Personat që u përkasin shtresave në nevojë e që përfitojnë kompensim të energjisë elektrike për efekt të heqjes së fashës mbrojtëse prej 300 KË orësh, duhet të bëjnë një vetëdeklarim, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të marrin paratë. Gjithçka përcaktohet në vendimin e qeverisë të dy ditëve më parë, ndërsa saktësohet se kjo procedurë do të zhvillohet pranë institucioneve përkatëse në të cilat përfituesit marrin pagën, pensionin apo përfitimet e tjera.

“Përfituesit, që kompensohen për të përballuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike, si rezultat I heqjes së fashës deri në 300 Këh, do të përcaktohen nga institucionet përkatëse në të cilat ata marrin pagën, pensionin dhe përfitimet e tjera, kundrejt deklarimit të tyre personal. Marrja e përfitimit pa deklarim dhe kundrejt deklarimit të rremë përbën shkelje administrative, përkatësisht për dhënësin dhe për përfituesin e kompensimit. Në këtë rast, institucioni përkatës zbaton dispozitat ligjore në fuqi”, thuhet ndër të tjera në vendim, ndërsa theksohet se ata persona që do të bëjnë deklarim të rremë do të detyrohen ta kthejnë përfitimin e padrejtë si dhe do të përjashtohen përgjithmonë, nga e drejta e përfitimit të kompensimit për energjinë elektrike. Sipas vendimit të qeverisë, kompensim të diferencës së çmimit të energjisë elektrike, përfitojnë të gjitha familjet që trajtohen me ndihmë eko-nomike, si dhe familjet që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuar, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të KMCAP-it, kur personi me aftësi të kufizuar është kryefamiljar dhe nuk ka anëtarë të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar. Po ashtu, kompensim do të përfitojnë edhe kryefamiljarët, që përfitojnë pension invaliditeti shtetëror dhe pension invaliditeti të plotë në fshat, kryefamiljarët, që përfitojnë pension pleqërie shtetëror ose pension pleqërie fshati, por që janë me banim në qytet, si dhe familjet e punonjësve buxhetorë, me pagë mujore bruto nën 35 000 (tridhjetë e pesë mijë) lekë në muaj, kur punonjësi është kryefamiljar. Kushti për të përfituar kompensim për këto kategori është që personi të mos ketë asnjë anëtar të familjes të punësuar ose të vetëpunësuar.

LAJMET E FUNDIT NE KOHE REALE