Sulmuesi shkodran e ka mbyllur rrugëtimin e tij me skuadrën e zemrës duke arritur një marrëveshje ndërmjet Vllaznisë dhe ekipit spanjoll Alaves që militon në La Liga.

Nga sa bëhet me dije spanjollët kanë paguar kartonin e Çinarit dhe këto ditë pritet edhe prezantimi dhe nënshkrimi i kontratës me ekipin bardheblu.

Ndërkohë nga sa bëhet me dije Erald Çinari do të huazohet me shumë mundësi në Francë tek ekipi i Sosho ose në Kroaci në Kategorinë Superiore të këtij shteti.

Duket se paraqitja e mirë e Çinarit ka zgjuar interesin e skuadrës spanjolle duke e bërë shkodranin që të vendos që karrierën e tij ta vijojë jashtë trojeve shqiptare.

Më herët Çinari përveç se tek Vllaznia ai ka qënë pjesë e skuadrës së Kombëtares U-21 në ndeshjen ndaj Sllovakisë takim ky që u mbyll me fitoren e ekipit sllovak dhe që ishte i vlefshëm në kuadër të kualifikimeve për në Kampionatin Europian.

E në fakt kjo është një trampolinë mjaft e mirë për Çinarin dhe që duhet shfrytëzuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Ndërkohë debutimi i parë i Erald Çinarit me skuadrën e Vllaznisë ka qënë në ndeshjen që kuqeblutë kishin asokohe ndaj Elbasanit e natyrisht që performance e tij në vijim ka qënë gjithnjë në rritje.

Sulmuesi shkodran Erald Çinari është një nga lojtarët që ka spikatur shumë me lojën e tij në fushën e blertë. Pjesë e skuadrës së Vllaznisë prej katër sezonesh i cili e ka nisur aventurën e tij futbollistike në moshën 18 vjeçare me ekipin kuqeblu që nga viti 2014 e deri më tani.