Erald Çinari është futbollisti më i ri i skuadrës spanjolle të Alaves. Sulmuesi shkodran, i cili ishte një nga lojtarët që ka spikatur me lojën e tij në fushën e blertë, pasi mbylli rrugëtimin e tij me skuadrën e zemrës Vllazninë gjeti akordin me skuadrën e cila militon në La Liga.

 

Nga sa bëhet me dije spanjollët kanë paguar kartonin e Çinarit për ta pasur pranë ekipit të tyre. Edhe pse ai u transferua në Spanjë plani për të ishte për t’u huazuar në Kroaci. Çinari tashmë ka nisur edhe aventurën e tij në mënyrën më të mirë të mundshme. Sulmuesi shkodran është aktivizuar si titullar me ekipin e Istras në miqësoren e zhvilluar kundër Rudës.

 

Sulmuesi 21-vjeçar ka shkëlqyer në fushë blertë teksa ka arritur të shënojë një gol por ka dhënë edhe një asist në fitoren 4-2 të ekipit të tij kundër Rudës. Një eksperiencë e re nisur në mënyrën më të mirë të mundshme për ish-lojtarin e Vllaznisë, i cili është në pronësi të Alaves në Spanjë, por që këtë vit do të luaj i huazuar në Kroaci.

 

Erald Çinari ka nënshkurar kontratë me skuadrën spanjolle Alaves në afatin kohorë prej tre vitesh nga ku mendohet që se do të japë më të mirën e mundshme në fushën e lojës. Kjo është një mundësi që ai të spikasë me talentin e tij. Sulmuesi shkodran njëkohësisht është pjesë e skuadrës kombëtares U-21 nën drejtimin e trajnerit Alban Bushi.