Në Bukuresht të Rumanisë ka nisur Kampionati Europian i Peshëngritjes, një event ku merr pjesë edhe Shqipëria, me 6 shtangistë meshkuj.

Peshëngritësja e vetme femër që duhej të përfaqësonte ngjyrat kuqezi, Evangjeli Veli, doli pozitive pak ditë më parë në testin e anti doping dhe u pezullua përkohësisht nga garat.

Kështu që, në pedanën Europiane, do të ngjiteshin Romario Avdiraj, Briken Calja, Arbër Çerçizi, Erkand Qerimaj, Daniel Godelli dhe Krenar Shoraj, të cilët pretendojnë për medalje. Por ditën e mërkurë ka qënë vetë peshëngritësi shkodran Erkand Qeriamj i cili ka bërë të ditur tërheqjen e tij nga gara.

Kur pritej që të enjten të ngjitej në ring për të konkurruar në Kampionatin Europian, peshëngritësi shkodran Erkand Qerimaj ka vendosur të tërhiqet nga gara dhe arsyeja është një problem që ka ndjerë në tendinën e gjurit, si pasojë e një dëmtim i ardhur nga ngarkesat stërvitore.

Këtë gjë e ka bërë të ditur vetë Qerimaj përmes një postimi të publikuar në rrjetin social Facebook ku ai shkruan: “Vendosëm që do tërhiqem nga gara pasi kam një inflamacion tendiva e gjurit nga ngarkesat stërvitore, pasi e shoh të arsyeshme të mos dëmtohen më shumë që të jem i gatshëm për garat e tjera.

Edhe konsulta me doktorin italian ishte që të bëj pushim”- përfundin postimi i peshëngritësit shkodranë Erkand Qerimaj.

Ky është një lajm shumë i keq dhe për Federatën Kombëtare të Peshëngritjes, pas problemeve të shumta që ka patur kohët e fundit me rastet e dopingut. Dalja pozitive e Romela Begajt ishte goditja e parë e madhe për shqiptarët.

Rasti i fundit ishte ai i Evangjeli Velit e cila doli pozitive para Kampionatit Evropian. Imazhi i këtij sporti në Shqipëri është përlyer jo pak, prandaj dhe pjesëmarrja e Qerimajt ishte e nevojshme, sidomos nëse do të merrte ndonjë medalje.