Do të jetë një Europian i shqiptarëve, ai i verës së ardhshme, në Francë. Kuqezinjtë e drejtuar nga De Biazi bëhen pjesë e një kompeticioni të tillë për herë të parë në historinë e tyre, mirëpo, në “Euro 2016” do të ketë edhe shqiptarë të tjerë, me kombëtare të ndryshme.

Mbrëmë dështoi të ishte pjesë e këtyre finaleve Riza Durmishi, sepse Danimarka e tij u “likujdua” nga Ibrahimoviç me shokë. Dy netë më parë, të njëjtin fat patën edhe vëllezërit Valon e Veton Berisha, sepse Norvegjia dështoi të shkojë në Francë. Pavarësisht këtyre “skarcimeve” në “play-off”, futbollistë me gjak shqiptari pritet të ketë më së shumti në Europianin e vitit të ardhshëm, që do të zhvillohet në Francë prej 10 qershorit deri më 10 korrik. Në finalet e “Euro 2016” mund të jenë të paktën 30 futbollistë shqiptarë, në kombëtare të ndryshme. Me Shqipërinë do të jenë 23 të tillë, aq sa lejon UEFA për t’u federuar me një kombëtare, ndërkohë që minimalisht gjashtë shqiptarë pritet të luajnë për ngjyrat e Zvicrës. Me kombëtaren helvete, lojtarët bazë janë shqiptarët Valon Behrami, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Blerim Xhemaili, Admir Mehmedi e Pajtim Kasami. Të gjithë këta pritet të ftohen për Europianin. Një i tillë, Shkodran Mustafi, do të jetë me Gjermaninë, sikurse Adnan Januzaj ka shumë shanse të udhëtojë me Belgjikën. Sikurse dihet, në Kampionatin Europian do të jenë 24 kombëtare finaliste nga kontinenti i vjetër, më shumë se asnjëherë tjetër në një kompeticion të tillë. Nëse lojtarët me gjak shqiptari do të kenë rekordin e pjesëmarrjes në “Euro 2016”, Shqipëria me gjasë do të jetë e vetmja mes 24 finalistëve, që nuk do të ketë në gjirin e vet lojtarë të huaj. Të gjithë kuqezinjtë janë shqiptarë dhe kanë prejardhje nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Lugina e Preshevës. Presidenti Duka është shprehur se do ta mbajë të pastër në këtë drejtim ekipin kombëtar.

Artikulli paraprakSHKODRA, RESURSET DHE MUNDËSITË PËR ZHVILLIM
Artikulli tjetërPËRFUNDON OPERACIONI POLICOR NË FRANCË