Shtyrja e hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut,

mosliberalizimi i vizave për Kosovën dhe mesazhet e përsëritura se rruga e Serbisë drejt BE-së do të jetë më e gjatë nga sa shpresohej kanë shënjuar pozicionin e BE-së kundrejt Ballkanit Perëndimor gjatë vitit të shkuar.

Pavarësisht se strategjia e zgjerimit, e publikuar në shkurt të vitit të kaluar shpërndau optimizëm në rajon, deklaratat e kohëve të fundit, që vijnë veçanërisht nga Franca, tregojnë se tendencat dekurajuese për mbështetësit e anëtarësimit të rajonit në BE nuk do të njohin kthesë.

Sipas politologut Bodo Weber, ka zëra se presidenti francez Emmanuel Macron mund të mos e mbajë premtimin e tij të vitit 2018, e të mbështesë hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në qershor, pas përfundimit të zgjedhjeve për Parlamentin Europian.

Edhe pse ai personalisht beson se Maqedonisë së Veriut do t’i ofrohet hapja e bisedimeve këtë vit, ndërkohë që ka rezerva për Shqipërinë, ku situata është komplikuar për shkak të krizës politike, Weber paralajmëron për rreziqet e një skenari të kundërt.

Ndërkohë, Kosova ka përmbushur kërkesat për liberalizimin e vizave dhe ende nuk ka asnjë sinjal pozitiv. “Ky është një turp për BE-në dhe një telash i madh për besueshmërinë e unionit në Kosovë”, thotë Weber.

Sondazhi më i fundit i “Eurobarometrit” ka treguar se, vetëm 43 për qind e qytetarëve të BE-së e mbështesin zgjerimin, me 45 për qind që e kundërshtojnë atë dhe që e konsiderojnë si politikën më pak popullore të unionit.

Kjo rikthen pikëpyetjet për pasojat e mundshme që një strategji e tillë politike mund të ketë, ndërkohë që është e paqartë sesa gjatë këto trende vendimesh dekurajuese mund të zgjasin para se të ketë një kundërreagim.