Më 18 Prill, në Shkup, 6 kryeministrat e Ballkanit Perëndimor do të marrin detyrat e reja të shtëpisë përpara samitit me shtetet anëtare të BE-së, që mbahet më 17 Maj në Sofje.

Këto orientime pjesë e paketës së re të zgjerimit do tre diskutohen më parë nga ministrat e Jashtëm të 28 shteteve anëtare që mblidhen të hënën në Luksemburg.

Në një mesazh që dha për socialistët evropiane të mbledhur në Kongresin e tyre në Hamburg shefja e diplomacisë evropiane përcolli nota optimizmi për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë, mesazh që do ta përcjellë personalisht në fillim të javës në kryeqytetet e shteteve të rajonit.

“Ka shumë viktima të trafikut të qenieve njerëzore. Na duhet një sistem racional për azilin dhe integrimin në BE. Emigrantët ekonomikë janë ata që vijnë nga Shqipëria apo shtete të tjera që vijnë këtu me familje me fëmijë dhe jo ata që vijnë dhe nuk duan të paguajnë asnjë taksë në BE.

Ne duhet të punojmë sëbashku duke luftuar varfërinë për t’u dhënë shpresë dhe perspektivë për të ardhmen këtyre njerëzve”, tha eurodeputeti Knut Fleckenstein. Ndërsa Tanja Fajon thekson se:

“Muaji Prill është vendimtar për integrimin. Fakti që Komisioneri Hahn dhe Mogherini po udhëtojnë sërish në rajon në fillim të javës tjetër është një sinjal inkurajues. Ne kemi nevojë për standarde për trajtimin e të gjitha problemeve serioze në Ballkanin Perëndimor – kryesisht luftën kundër korrupsionit – dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve në qeveritë e tyre.

Një nga standardet më të rëndësishme është sigurimi i një rekordi të rekrutimeve të bazuara në meritë të gjyqtarëve dhe nëpunësve civilë. Situata është shqetësuese, veçanërisht për shkak të politizimit të emërimeve.

Sondazhet tregojnë se shumica e publikut në të gjitha vendet besojnë se ata janë të prekur nga korrupsioni dhe janë të ekspozuar ndaj ndikimit politik”.

Progres raportet pjesë e paketës së zgjerimit, që do të paraqiten nga Federica Mogherini së bashku me Komisionerin për Zgjerimin, Johannes Hahn në Strasburg, më 17 Prill dhe më tej ata vizitojnë Tiranën, Shkupin, Podgoricën dhe Beogradin.