Në Berlin zhvillohet më datat 6-12 gusht Kampionati Europian i Atletikës, ku do të marrë pjesë edhe vendi ynë me tre sportistët e tij, Izmir Smajlaj në garën e kërcimit së gjati, Luiza Gega në garën e 3000 metrave me pengesa dhe Franko Burraj në 400 metër.

 

Nga sportistët shqiptarë pritet një rezultat i mirë në këtë Europian, duke parë paraqitjet e fundit, madje edhe zona e medaljeve është një mundësi reale si për Gegën, Smajlaj ashtu dhe për Burraj. Atleti shkodran Izmir Smajlaj ka qenë në Baterinë A të eliminatoreve dhe ka kërcyer 7.71 metra në garat e zhvilluara të hënën pasdite.

 

Ky rezultat nuk ka qenë fort i mirë për atletin kuqezi (8.03 rekordi i tij, vendosur vjet në Bograd), por ka mjaftuar për ta çuar në finale edhe pse mes drithërimave.
Izmir Smajlaj u rendit i shtati në Baterinë A mes 15 garuesve (ishin 30 në total në të dyja bateritë). Rezultati 7.71 metra e ka renditur atletin shkodran në vendin e 12-të të klasifikimit të përgjithshëm, pozicioni i fundit që të jepte mundësinë për të shkuar në finalen e kësaj gare.

 

Atleti shkodran Franko Burraj do të garojë në 400 metër të martën e 7 gushtit nga ku synon të thyej rekordin e kësaj disipline. Ndërsa Luiza Gega do të garojë më datën 10 gusht në disiplinën e garës së 3000 metër, në bateritë eliminatore.

 

Sportistët kanë mbërritur në Berlin dhe janë stërvitur rregullisht, me shpresën që të kalojnë pengesën e parë, kualifikueset dhe më parë të synojnë për medalje. Të tre sportistët shqiptarë shpresojnë shumë të arrijnë edhe objektivat që I kanë vënë vetes për në këtë kampionat nga ku dhet se rivaliteti mes pjesëmarrësve do të jetë I madh.