Një nga objektivat e Bashkimit Europian, ku dhe Shqipëria kërkon që të anëtarësohet, është që të rritet përqindja e personave me arsim të lartë. Objektivi i tyre është që deri në 2020, 40% e personave të moshës 30-34 vjeç të kenë përfunduar arsimin e lartë. Të dhënat statistikore që ka nxjerrë Eurostat mbi përqindjen e kësaj grupmoshe që kanë përfunduar arsimin e lartë tregojnë se Shqipëri qëndron shumë larg objektivit, duke u renditur edhe e fundit ndër vendet që kërkojnë të jenë pjesë e BE-së.

Sipas Eurostat më pak se 23.5% e kësaj grupmoshe në Shqipëri kanë përfunduar arsimin e lartë, e ndjekur nga Bosnje dhe Hercegovina me 23.8, dhe Turqia diçka më shumë se 25%. Në Bashkimin Europian norma e individëve të moshës 30-34 vjeç që kishin përmbushur ciklin e lartë të studimeve ishte 39.9% në 2017-n, ndërsa të gjitha vendet e zgjerimin kishin përqindje më të ulët.

Ndër vendet e rajonit, Mali i Zi ka përqindjen më të lartë të 30-34 vjeçëve që kanë përfunduar arsimin e lartë, me një normë 34%, e ndjekur nga Serbia me një normë prej 32% dhe Maqedonia e Veriut me mbi 30%. Ndërsa në Turqi kjo normë ishte 27%.

Krahasuar me 5 vite më parë, norma e individëve me arsim të lartë ka shënuar rritje në të gjitha shtetet që kërkojnë të anëtarësohen në BE. Megjithatë në 2012, Bosnja Hercegovina renditej e fundit në rajon për sa i përket normës së kësaj grupmoshe me arsim të lartë (shiko grafikun). Të dhënat për Kosovën mungojnë.

Shqiptarët nuk e kanë me qejf të mësuarin

As 1% e shqiptarëve vendosin të angazhohen për të thelluar njohuritë e tyre pas shkollës. Sipas të dhënave të INSTAT, rreth 0.9% e shqiptarëve të moshës 25-64 vjeç mësojnë përgjatë gjithë jetës së tyre. Kjo është norma më e ulët në të gjithë Bashkimin Europian dhe vendet e rajonit, ku Shqipëri ka një diferencë të dukshme.

Megjithatë, në lëmin e paditurisë, shqiptarët janë shokë klase me rumunët, ku përqindja e personave që mësojnë gjatë gjithë jetës është po aq.
Të mësuarit gjatë jetës është përvetësimi vullnetar dhe i vetëmotivuar i dijeve, qoftë për aspektin personal apo profesional. Prandaj, të mësuarit gjatë jetës nuk rrit vetëm përfshirjen në shoqëri apo qytetarinë aktive, por edhe rrit vetë-qëndrueshmërinë, konkurrencën dhe shanset për punësim.

Ndër vendet e Bashkimit Europian, mesatarisht 11.1% e popullsisë e moshës 25-64 vjeç ishin të angazhuar në të mësuarit gjatë jetës, sipas statistikave të Eurostat.

Përqindjet më të larta janë shënuar në vendet e Europës Perëndimore dhe Veriore. Zvicra ka përqindjen më të lartë, me 31.6% të popullsisë 25-64 vjeç, që mësojnë gjatë gjithë jetës, e ndjekur nga Suedia me 29.2% të kësaj grupmoshe, aktive për të përvetësuar njohuri shtesë gjatë gjithë jetës së tyre. Finlandezët janë të tretët më të dhënë pas të mësuarit, ku rreth 28.5% e grupmoshës 25-64 vjeç mësojnë gjatë gjithë jetës, e ndjekur nga Danimarka me 23.5%, Estonia me 19.7%, Holanda me 19.1%, Franca me 18.6% dhe Austria me 15.1%.