Ministrja e re e Arsimit, Evis Kushi ka folur pas marrjes së detyrës së re, e cila iu prezantua dje nga kryeministri Rama. Kushi falenderon të gjithë ata që i kanë dërguar mesazhe urimi, po ajo vetë ndjen një përgjegjësi shumë të madhe me postin që iu ofrua duke i sjellë sfida të reja në jetë.

“Do të punojë fort që të nderoj kolegët dhe Elbasanin tim”, tha Kushi, ndërsa shtoi se provimet për të nuk mbaruan me marrjen e doktoraturës, por se ky post është provimi më i madh i jetës së saj.

“Të dashur miq, Ju falenderoj pa masë për mesazhet tuaja inkurajuese në këtë moment kaq sfidues për mua! Më keni gëzuar, por nuk më keni lehtësuar! Përkundrazi, mesazhet tuaja më bëjnë të ndjehem edhe më e ngarkuar se sa dje kur kryeministri më shprehu vendimin e tij, me barrën e kësaj përgjegjësie të jashtëzakonshme.

Kur mora doktoraturën në Staffordshire University në Britaninë e Madhe, pas pesë vitesh studime e vajtje ardhje mes Elbasanit dhe Stoke-on-Trent mendova se provimet për mua mbaruan. Por paskam qenë aq gabim sa s’ka! Ky i tanishmi është një provim aq i vështirë sa nuk gjej fjalë ta shpreh! Uroj që të kem ndihmën tuaj dhe të kolegëve të mi të shumtë në botën universitare për t’ia dalë faqebardhë.

Do bëj gjithçka mundem që të nderoj Elbasanin tim, Partinë Socialiste dhe kryeministrin tonë dhe që kur të kthehem një ditë në auditor të kem respektin e të gjithë kolegëve të mi për atë që do të jem si drejtuese e arsimit. Një pedagoge dhe qytetare në shërbim të përulur ndaj komunitetit të madh të dijedhënësve. Faleminderit shumë edhe njëherë të gjithëve!”, shkruan Evis Kushi

Ditën e djeshme Besa Shahini u largua nga posti i ministres dhe në vend të saj u emërua Evis Kushi, duke shënuar kështu ndryshimin e parë në qeveri.