3 GARA NGA FUNDI, TITULLI MBETET AKOMA I HAPUR. Lewis Hamilton do të kërkojë fitoren e radhës në Formula 1 për të mbrojtur vendin e parë. Ai mbërrin në  Austin me 17 pikë avantazh ndaj shokut të tij të skuadrës, Nico Rosberg, sa i përket renditjes për pilotë, por duket se kjo diferencë nuk i mjafton duke dashur ta rrisë më tej. 

Kur kanë mbetur edhe 3 gara nga fundi i sezonit të Formula 1 (Austin, Brazil dhe Abu Dhabi), piloti britanik është shprehur se “këtu – referuar Austinit në SHBA – kam fituar 2 vjet më parë, ndaj dhe dua të jem sërish i pari në dominimin e pistave të reja”. Më pas ka shtuar se “kjo garë të lejon të bësh shumë parakalime, ndaj dhe jam i sigurt se do të argëtohem”.Në SHBA, synimi i vetëm i Hamilton është t’i afrohet gjithnjë e më shumë titullit të Botërorit të Formula 1. “Në këtë pistë janë të gjitha mundësitë për të dhuruar spektakël, ndaj dhe do të bëj më të mirën. Rregulli i dyfishit të pikëve për garën e fundit në Abu Dhabi? Më keni pyetur disa herë – iu referua reporterëve – por nuk ka rëndësi nëse jam dakord apo jo, më pëlqen apo jo, thjesht duhet të përshtatem me rregullat që janë në fuqi. Megjithatë, në vitet e ardhshme do të doja të evitoheshin”.Por, me afrimin e fundit të sezonit, pista e Austin nuk mund të mos bëjë të flitet për merkaton. Alonso ende nuk ka zgjedhur skuderinë e ardhshme pas lamtumirës nga Ferrari, megjithatë spanjolli shprehet se “nuk ka asnjë risi, pasi mbetet i përqendruar në garën e radhës. Çfarë do të bëj vitin e ardhshëm? Dua të marr vendimin më të mirë për të ardhmen time, por edhe për të ardhmen e skuadrës që dua”.Për të duket se janë të hapura dyert e McLarenit, por kjo skuderi nuk është ende kompetitive, ndërsa te Mercedes zor se do të mund të gjejë vend. Një tjetër mundësi është edhe marrja e një pushimi njëvjeçar, por e vetmja gjë që dihet me siguri është se “enigma” e Alonsos mban peng edhe zyrtarizimin e mbërritjes së Sebastian Vettel te Ferrari.