E kam parë Tokën në zonat e saj më të bukura dhe kam eksploruar disa nga plazhet më të pashkelura. Kam vizituar rrugët e bregdetit amalfitan, plazhet e Kretës dhe të Santorinit, muret e qytetit të vjetër të Dubrovnikut në Adriatik, por asnjë nga to nuk më përgatiti për bukurinë e Rivierës Shqiptare, shkruan Danielle Owen për faqen e specializuar amerikane për turizmin thrillist.com.

”Madhësia e vogël e Shqipërisë, pak më e madhe se Maryland, e bën atë të përshtatshme për eksplorim, duke filluar nga kryeqyteti i Tiranës deri tek Alpet Shqiptare, shtigjet e së cilave rivalizojnë Zvicrën dhe Zelandën e Re.

Por, zemra e vendit është Riviera. Është aty ku gurët e bardhë shkëlqejnë në plazhet midis mureve të mrekullueshme të kanioneve dhe pyjeve të gjera, duke ju drejtuar për në detin e tejdukshëm të Jonit. Aty ku mund të relaksoheni në luks ose jo.

Ndodhet disi e fshehur. Sa keq, ata që flenë në këtë copë parajse të qetë midis Greqisë dhe Malit të Zi, pra të gjithë, po humbasin plazhet më të mira në Europë.

Ja çfarë po humbisni dhe ku duhet të shkoni.

Dhërmi, aty ku bashkëjeton paqja dhe festat

Çdo vit, filloj verën time me të njëjtin pelegrinazh në plazhin e Drimadhës. Në bregdetin jugor rreth tre orë e gjysmë nga kryeqyteti, kalon nëpër rrugën me dredha të Llogorasë. Në fund të kësaj rruge të lezetshme dhe pak të frikshme, do të gjeni plazhin tim të preferuar të Shqipërisë dhe në Tokë.

Në skajin verior të plazhit, një hark natyror shkëmbor ju çon në një breg të vogël, me guralecë. Zakonisht aty nuk ka shumë njerëz. Nga atje, ngjitem ose notoj përtej një shkëmbi tjetër, për të arritur në një gji të vogël midis gurëve, ku mund të jem vetëm me ujërat blu të kristaltë.

Për akomodim, Drimadhes ofron kampe buzë detit dhe hotele. Ka një sërë kamionësh me ushqime dhe restorante, por në përgjithësi atmosfera është shumë e rehatshme. Shitësit e frutave flasin me entuziazëm dhe në mënyrë gazmore nëse e kuptoni shqipen apo jo. Ky është një vend për të shijuar midhjet e freskëta dhe oktapodët, perëndimet e diellit dhe verërat e bëra shtëpi.

Për ata që kërkojnë një përvojë ndryshe, jo larg rrugës, ndodhet Dhërmiu. Këtu organizohen shumë festa dhe baret në plazh luajnë vazhdimisht muzikë nën specialitetet e pijeve tropikale. Dhërmiu është i mirënjohur nga shqiptarët si vendi i verës për festa dhe është bërë epiqendra për festivale muzike elektronike me pjesëmarrës nga e gjithë Europa.

Gjipe, kampingje të pazbuluara dhe plazhe pa emër

Fakti që disa nga plazhet shqiptare nuk janë të arritshme nga të gjithë, është një nga aspektet më të mira të tyre. Shumë janë të arritshme vetëm me varkë. Për të shkuar nga një plazh në tjetrin kam hipur vetëm një herë në një varkë të vogël, ndërsa isha duke notuar.

Plazhet më të mira janë në mes të qytetit të Dhërmiut dhe qytetit turistik të Himarës, të dyja ofrojnë shumë ture me varka. Do të ndaleni në plazhe pa emra zyrtarë si ”Shpella e Zogut” ose ”Akuariumi” dhe do të gjeni një bar prej druri që shet birra ”Tirana” dhe disa tavolina të vogla të vendosura pak larg ujit.

Nuk duhet ta humbisni plazhin e Gjipesë. Është xhevahiri i kurorës për adhuruesit e plazheve të pazbuluara. Dy restorante në ajër të hapur nga të dyja anët e plazhit shërbejnë ushqime deti, sallata dhe fruta të freskëta.

Himara, Një qytet turistik me shëtitje në fshat

Shëtitorja e bregdetit të Himarës është e mbushur me piceri, restorante me ushqime deti dhe fast food-e. Në Himarë do të gjeni vendin e përshtatshëm për pushimet familjare shqiptare, hostele plot me turistë dhe vende romantike.

Shëtitjet në fshat do t’ju çojnë pranë pemishteve, kecave nëpër kullota dhe fushave të futbollit. Duke ecur përgjatë shkëmbinjve bregdetarë, do të gjeni plazhin e Livadhit, që ndodhet në veri të qytetit. Pamja nga lart është një flamur tre ngjyrësh i detit të kaltër, gurëve të bardhë të shndritshëm dhe ullishtave.

Duke u larguar nga Himara dhe duke u drejtuar për në jug, do të kaloni në plazhin më të gjatë të Shqipërisë, Borshi, i preferuari im. Më pas do të arrini në Bunec, ku malet duket sikur hyjnë në det. Endja është shpërblimi në këtë.

Nëse nuk po udhëtoni me varkë ose me makinën tuaj ndërsa ndërroni vendndodhjet, autostopi është një formë e zakonshme dhe praktike e transportit në Shqipëri. Shpesh e gjej veten duke ngritur gishtin e madh dhe asnjëherë nuk pres më shumë se disa minuta.

Saranda, plazhet dhe jeta në qendrën e qytetit

I vendosur afër kufirit grek, Saranda është kryeqyteti jozyrtar i Rivierës Shqiptare, një qytet në zhvillim, i mbushur me apartamente dhe pamje panoramike. Në shëtitoren marramendëse gjenden restorante dhe bare, si dhe ka shfaqje fishekzjarresh nga klubet e natës.

Plazhi kryesor mund të jetë i rrethuar nga jeta e qytetit, por ujërat janë po aq të pastra dhe të blu sa kudo tjetër përgjatë bregdetit. Në njërën anë të gjirit ndodhet një port, ku anijet e vogla të trageteve vijnë nga Korfuzi, udhëtim që zgjat 30 minuta në det. Ka shumë mundësi zgjedhje për plazhet e Sarandës. Restorantet dhe baret rendisin shumicën e tyre dhe sigurojnë çadrat, karriget ose shezlonet. Tridhjetë minuta larg ishujve të vegjël të Ksamilit dhe plazheve me rërë të bardhë, gjendet qyteti antik i Butrintit, i mbrojtur nga UNESCO.

Jeta është shumë e gjallë në Sarandë. Shqiptarët kanë një kod kulturor dhe historik të trajtimit të miqve si të ishin pjesë e familjes. Ata e quajnë besë, dhe siç më kanë shpjeguar miqtë e mi shqiptarë, kjo nuk është thjesht diçka me të cilën nderojnë vetëm njëri tjetrin. Shumica e shqiptarëve i trajtojnë vizitorët në vendin e tyre sikur po mirëpresin një të afërm të humbur. Keni nevojë për udhëzime? Ata do ju ndihmojnë dhe me siguri do të ecin me ju në destinacionin tuaj përfundimtar. Që natyrisht duhet të jetë plazhi.

foto galeri