Faza e dytë e fazës së dytë të kampionatit të kategorisë së parë, ka dhuruar në kalendar sfidën Vllaznia- Burreli. Ajo do të luhet ditën e shtunë në Shkodër megjithatë ende nuk është zyrtarizuar vendi ku do të luhet.

Për këtë arsye po pritet vendimi i FSHF-së për këtë qëllim, institucion ky që vazhdon ta administrojë impiantin më modern të futbollit aktualisht në Shqipëri.

Me shumë të ngjarë, ekipi shkodran do të kthehet pas gati dy muajsh që të luajë në stadiumin “Loro Boriçi” ngaqë tashmë kanë mbaruar ndeshjet ndërkombëtare.

Por gjithsesi ka një dilemë, pikërisht reshjet e ditëve të fundit mund ta dëmtojnë fushën e këtij impianti sportiv dhe për këtë arsye, duhet parë gjendja reale e saj.

Gjasat janë që të luhet në stadium sepse për këtë vit të paktën nuk ka më ndeshje ndërkombëtare dhe fusha e “Loro Boriçit” do ketë kohë të rigjenerohet sërish.

Luajtja e disa ndeshjeve në “Reshit Rusi” pavarësisht se është shoqëruar me fitoren e Vllaznisë, nuk është pritur mirë nga stafi dhe futbollistët shkodranë sepse në këtë fushë ata nuk arrijnë të shprehen si duhet.

Për këtë arsye, nëse kuqeblutë do kthehen të luajnë në stadium, do të ishte diçka shumë e mirë. Hera e fundit që ata kanë luajtur në “Loro Boriçi” ka qenë ndeshja me Dinamon.

Përveç saj, kanë luajtur edhe ndeshjen e parë me Korabin aty ndërsa tre të tjerat, ato me Veleçikun, Erzenin dhe Vorën i kanë luajtur në “Reshit Rusi”.

 

 

PUBLICITET