Klubi i Futbollit të Femrave Vllaznia ka realizuar edhe përforcimin e rradhës. Nga sa bëhet me dije portierja Viktorja Panchurova që ka qënë pjesë e skuadrës Zfk Tiverija Strumice në Maqedoni tashmë do jetë pjesë e Vllaznisë.

Ajo ka nisur stërvitjen dhe gjendja e saj sportive është e mirë. Ditët në vijim do ta ndihmojnë që të ambjentohet edhe me pjesën tjetër të skuadrës.

Në fakt, futbolli i femrave në Shqipëri por edhe në Ballkan vuan për portiere cilësore.

Përveç portieres Raxhimi tek Vllaznia ardhja e maqedonases Panchurova pritet që të krijojë më shumë siguri për katërkëndëshin e vajzave kuqeblu në tre ndeshje europiane që do të kenë në vazhdimësi.

Mund të thuhet se skuadra e Vllaznisë në futboll për femra është e kompletuar me përforcimet që kanë realizuar sëfundmi dhe trajneri Nikolin Leka është shprehur i kënaqur me gjendjen e ekipit të tij tre javë para pjesmarrjes në Ligën e Kampioneve të Europës.

Siç dihet objektivi i tyre është kalimi I turit të parë edhe pse nuk do të jetë e lehtë përballë ekipeve kampione të Bosnjës, Estonisë dhe Moldavisë.

Ndërkohë për të testuar gjendjen sportive të skuadrës së Vllaznisë në futboll për ferma është menduar që të zhvillohet një ndeshje miqësore me KFF Mitrovica.

Dy ekipet shqiptare kampione të Shqipërisë dhe Kosovës përfaqësojnë futbollin e femrave në Champions League dhe kjo është një arsye më shumë për zhvillimin e kësaj ndeshjeje miqësore që do të zhvillohet me 26 korrik në Shkodër në orën 17:30.