Një raport i publikuar ditët e fundit nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit ngre alarmin për mënyrën e trajtimit të personave me çrregullime të shëndetit mendor në vend.

Sektori më problematik është ai i burgjeve dhe spitaleve psikiatrike, ku kushtet në të cilat mbahet kjo kategori personash, sipas raportit që bazohet në monitorimet e kryera gjatë vitit 2018, janë jashtë të gjitha normave.

“Në Peqin, si pasojë e instalimit të antenave mbi çati, tavanet ishin dëmtuar. Ndërsa në burgun e Lezhës, përdorimi i perdeve në ambientet e tualeteve të përbashkëta në godinën e Infermierisë nuk plotëson kushtet minimale të privatësisë” thuhet në raport.

Më tej, raporti thotë në se në burgun e Fushë Krujës u konstatua mungesa e një lavamani të mirëfilltë dhe mungesë e standardeve minimale të higjenës.

Në spitalin e burgjeve në Tiranë, afër dritareve të dhomave u vërejt një grumbullim i konsiderueshëm mbetjesh dhe prezencë e lartë e insekteve dhe mushkonjave që janë burim infeksionesh.

Në burgun e Peqinit, uji i ngrohtë mungonte dhe të burgosurit së bashku me personat e paraburgosur kishin mundësi të laheshin vetëm një herë në javë.

Në raport thuhet se gjatë monitorimit në burgun e Korçës, vëzhguesit e Komitetit Shqiptar të Helsinkit vërejtën se në tualetin e njërës prej dhomave ku ishin akomoduar 6 persona, 2 prej të cilëve me çrregullime të shëndetit mendor, teli eklektrik që përdorej për ngrohjen e ujit ishte i zhveshur.

Gjatë monitorimit në spitalin e burgjeve në Tiranë u konstatua se dhomat kryesisht përbëheshin mesatarisht nga 5 persona, 3 nga të cilët flinin në krevatin e tyre, ndërkohë që 2 persona të tjerë flinin mbi shtroje sfungjeri në dysheme.

Monitoruesit kanë shënuar në raport se shtrojet e sfungjerit ishin të keqpërdorura dhe të ndotura.

Në burgjet e Lezhës dhe Korçës, vëzhguesit e KShH-së bashkëbiseduan me persona që kishin çrregullime të shëndetit mendor, të cilët kishin ndërmarrë tentativa vetëdëmtuese.

Pjesa më e madhe e tyre refuzonin marrjen e medikamteve të rekomanduara nga mjekët psikiatër, duke shfaqur elementë riskues si paqëndrueshmëri emocionale dhe mbyllje në vetëvete.

Refuzimi i medikamenteve nuk shënohej në kartelat mjekësore, ndërsa stafi mjekësor dhe ai kujdestar nuk ndërmerrnin hapat e duhur për të vlerësuar në mënyrë periodike rrezikun.