Halloween është një festë traditë e amerikanëve, e cila ndonëse pa asnjë kontekst historik apo kulturor, filloi të praktikohej edhe në vendin tonë. Prej disa vitesh tashmë, ditët e fundit të tetorit të shumta janë bizneset që kanë ndryshuar vitrinat apo shërbimet e tyre, duke iu bashkuar kësaj tematike.

Sa i përket shitjeve me pakicë, kanë nisur që më herët të furnizohen me artikuj të kësaj feste. Sipas shitësve në Tregun çam në Tiranë, brenda 10 viteve ka ndryshuar shumë përshtatja me këtë festë.

Sipas tyre, n.q.s para 10 viteve në dyqan merrnin ndonjë maskë në veçanti ose më pak artikuj, tashmë gama është zgjeruar.

Sipas shitësve me pakicë, edhe në dyqane të tjera në kreyqytet, duke përfshirë edhe dyqanet e lodrave për fëmijë, kërkesat më të mëdha vijnë nga fëmijët.

Sipas tyre, kjo ndodh sepse shkollat apo kopshtet organizojnë festa me këtë tematike, për të cilën nevojiten artikuj të tillë.

Edhe përfaqësues nga Jumbo, tregojnë se ndër vite kërkesa për produkte të tilla ka qenë në rritje dhe gama që ofrohet këtë vit në dyqan ka qenë më e larta e çdo viti.

Edhe kërkesat janë dyfishuar, duke nisur nga veshje të një personazhi të caktuar, kapele, maska etj.

Një tjetër biznes që po ‘përfiton’ ekonomikisht nga kjo festë është ai i argëtimit. Dorjan Maknori, menaxher i një club-i tregon për Monitor se ky është viti i 13 që organizojnë ‘party’ më këtë tematike dhe njëkohësisht, viti që ka pasur rezervimet më të larta.

Këtë vit sipas tij, në përputhje me idenë e viteve të mëparshme, angazhohet një DJ i njohur, hyrja është gjithnjë e lirë, sepse festa funksionon me tavolina (në rastin e atyre VIP) ose me pije.

Edhe për një pjesëmarrje të tillë, të rinjtë kryesisht që janë frekuentuesit, kanë një kod veshje të caktuar, si dhe make up me këtë tematikë. Pikërisht edhe make up artistët janë një tjetër kategori, që kanë fluks pune dhe prenotimesh për këtë ditë.

Sipas Federatës Kombëtare Amerikane të Shitjeve me Pakicë, vitin e shkuar, më shumë se 179 milionë amerikanë festuan Halloween, krahasuar me 171 milionë në vitin 2016.

Halloween në SHBA njihet si festa më e madhe pas Krishtlindjeve dhe fitimet janë kolosale, sidomos në shitjet me pakicë.

Sipas shifrave të Statista, për të rriturit, fëmijët apo kafshët e tyre, kostumet janë artikujt kryesorë për të cilët janë shpenzuar më shumë para nga amerikanët, rreth 3.14 miliardë dollarë në vitin 2016.