Mbi 10 mijë shtetas kanë hyrë në vend gjatë 24 orëve të fundit, nga pika kufitare e portit detar të Durrësit. Janë kryesisht familje emigrantësh që kthehen për festat e fundvitit pranë të afërmve të tyre në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.

Ndryshe nga linja e Ankonës, të gjithë udhëtarët e linjës Bari-Durrës janë përballur me vonesa të theksuara në grafikun e lëvizjes së trageteve.

Sipas autoriteteve detare shqiptare, shkak për këto vonesa janë bërë autoritetet italiane të cilat në portin detar të Barit gjatë ushtrimit të kontrollit kufitar vazhdojnë punën me vetëm dy sportele.

Përballimi i fluksit në dalje të udhëtarëve drejt Shqipërisë me të njëjtin personel si në ditë të zakonshme ka shkaktuar vonesa të theksuara në procedurat e përpunimit të udhëtarëve dhe mjeteve, si dhe të nisjes së trageteve nga porti detar i Barit.

Gjatë këtyre ditëve janë regjistruar vonesa 4-10 orë në mbërritjen e trageteve në port.

Lidhur me këtë situatë, Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë Detare Paulin Ndreu ka kontaktuar sot konsullin e vendit tonë në Bari të Italisë për të paraqitur shqetësimet pranë autoriteteve italiane të portit të Barit dhe kërkuar marrjen e masave për menaxhimin e fluksit për festat e fundvitit.