“Mesnata” arreston dy të rinj të cilët shpërndanin kokainë gjatë festave në lokalet e Fierit.
Arrestimi i tyre u bë i mundur mbi bazën e informacioneve të marra më parë në rrugë operative se në lokalin ”N. Y” në lagjen “Apollonia” Fier gjatë një feste ”Party” që do të zhvillohej aty do të shitej lëndë narkotike.

“Mbi bazën e këtij informacioni, është organizuar puna dhe në bashkëpunim me FNSH Fier, gjatë mesnatës, është shkuar në lokalin ”N….Y” dhe është ushtruar kontroll personave dhe ambienteve të këtij lokali që ishte në administrim nga shtetasit Shkëlzen Gjata dhe Mariglen Mellaraj.
Nga kontrolli i ushtruar në një dhomë me mbishkrimin ”Private” u gjendën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 36 copë paketime (porcione) me lëndë narkotike e dyshuar Kokainë, një peshore elektronike, një palë gërshërë, një fletore shënimesh etj” informoi sot policia e Fierit

Të arrestuar janë : Shkëlzen Gjata, 24 vjeç, banues në Drizë, Fier, Mariglen (Renato) Mellaraj, 35 vjeç, banues në Fier.Gjatë kohës së kontrollit fizik të personave që ishin në këtë lokal në çantën e krahut të Pranvera Isufajt, i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 (dy) thika me teh të përkulshëm të dyshuara si armë të ftohta.

Po kështu 27 vjeçarja banuese në Fier ka kundërshtuar hapur veprimet e policisë duke përdorur dhe forcën me veprime aktive e për pasojë ka penguar në kryerjen e detyrës punonjësit e policisë si dhe i ka ofenduar ata. Policia e ka arrestuar.

Operacioni u kodua “Mesnata’.Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, në ngarkim të shtetasve Shkëlzen Gjata dhe Mariglen Mellaraj për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”,

“Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe “Nxitja për përdorimin e drogës” parashikuar nga Nenet 283/2, 285/a dhe 286 të Kodit Penal, dhe ndaj shtetases Pranvera Isufaj për veprat penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” parashikuar nga Nenet 279 dhe 236/2 të Kodit Penal.