Policia në bashkëpunim me Prokurorinë kanë sekuestruar pasuri me vlerë 360 mijë euro të një personi me inicialet J.J, i cili dyshohet se i ka vendosur përmes veprimtarisë në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.

Pas hetimeve disa mujore për akuzën e pastrimit të parave është vendosur masa e sigurimit pasuror sekuestro preventive mbi pasuritë. Mes pasurive të sekuestruara janë 2 apartamente, 2 dyqane, 2 vende parkimi, 6 garazhe dhe një automjet tip BMW. Vlera totale e këtyre pasurive arrin deri në 360.000 euro.

Pasuritë e sekuestruara;
▪2 apartamente banimi në lagjen “10 Korriku” Vlorë
▪2 ambiente shërbimi – dyqan, në lagjen “Pavarësia” Vlorë
▪2 vende parkimi në lagjen “Pavarësia” Vlorë
▪6 garazhe të ndryshme në lagjen “10 Korriku” Vlorë
▪1 automjet tip BMW.

Personi me inicialet J.J. që iu sekuestrua pasuria nuk kishte asnjë biznes të regjistruar në emrin e tij në Shqipëri dhe figuronte si i papunë, ndërkohë që kishte pasuri 360 mijë euro pasuri.

Sipas burimeve dyshohet se ai ka qenë i dënuar në Itali për trafik droge, ndërsa autoritetet shqiptare i kanë bërë kërkesë vendit fqinj për t’u njohur me dosjen nëse ka.

E ndërsa nuk publikohet emri, kreu i prokurorisë së Vlorës, Ardian Ylli shprehet se procedimet nisin kur personi ka qenë nën hetim ose i dënuar më parë. Sipas tij, J.J nga të dhënat e deritanishme nuk e justifikon pasurinë.

Policia e Shtetit deklaron se po vijon punën për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e aseteve që rrjedhin nga veprimtari kriminale.