Shqipëria mori një fitore të çmuar mbrëmjen e djeshme përballë Andorrës me rezultatin 0-3 duke qetësuar situatën pas humbjes me Turqinë dhe shkarkimit të Panucit. Tre pikët janë përcjellë me festë në dhomat e zhveshjes së ekipit kuqezi.

Ndërkohë që Ervin Bulku, që drejtoi kombëtaren bashkë me Sulejman Memën në fitoren e djeshme u shpreh i lumtur, por nuk hodhi poshtë punën e teknikut italian që u shkarkua.

“Jemi të bashkuar. Kjo fitore duhej marrë me çdo kusht, me çdo mënyrë. E thashë që rezultat i vetëm është fitorja. Padiskutim, edhe pikët janë të rëndësishme, por edhe morali, sepse kishim bërë edhe ndeshje të mira, por pa rezultate. Andorra ishte e dobët, por ka barazuar në fushën e vet.

Unë kam qenë njeriu më i afërt, nuk duhet t’i hedhim poshtë kaq shpejt. Kemi menduar më shumë për ndeshjen me Turqinë, por diskutuam pak për Andorrën. Edhe ai po të ishte në vendin tim, do bënte ndoshta këto zgjedhje. Ky rezultat na kënaq” tha ai.

Ndërsa Migjen Basha replikoi me deklaratat e italianit pas shkarkimit. “Këta janë lojtarët, por nuk e ka kuptuar çfarë mendimi ka pasur ai. Negative apo pozitive.

Mua më duket negative, dhe pa respekt për lojtarët që janë këtu. Ka disa lojtarë që kemi bërë historinë këtu, por për sa kohë jemi këtu, do mundohemi të ndihmojmë” tha ai për supersport.