Ipeshkvi i Dioqezës së Rreshenit, Dom Gjergj Meta ka reaguar në lidhje me vatrat e zjarrit që janë krijuar në një pjesë të territorit të Shqipërisë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Dom Gjergj Meta ka shprehur dhimbjen e tij për dëmtimin e ekosistemit, të cilësisë së jetës, biznesit dhe turizmit.

Ndërkohë që për ata që e vënë zjarrin qëllimisht ai tha se janë vrasës me pagesë të frikshëm. Më tej si vuri në dukje indiferencën institucionale dhe mediatike për zjarret në Tropojë, Malsi e Madhe, Shkodër, Lezhë, Mirditë. Sipas tij këtë masakër që po i bëjmë natyrës do ta paguajmë shtrenjtë.

Postimi i plotë:

DHEMBJE DHE ZEMËRIM …

Ndjehet dhembje e madhe përballë një pylli që digjet, sidomos kur imagjinon që aty ka kafshë, bimësi, jetë të shumëllojshme që merr fund. Dëmtohet ekosistemi, dëmtohet cilësia e jetës, dëmtohen bizneset dhe turizmi. Dhimbja më e madhe është se ndjehesh i pafuqishëm të bësh diçka.

Ndërsa ndjen dhembje, ajo përzihet me zemërimin që shkakton ideja se ekziston një qënie njerëzore që e ka vënë zjarrin qëllimisht. Ai/ajo nuk janë as më shumë as më pak se sa vrasës me pagesë, të frikshëm dhe jetojnë mes nesh çdo ditë.

Ata, apo kush i ka paguar e shtyrë, janë të aftë të djegin gjithçka, edhe njerëz.

Shkakton zemërim indiferenca institucionale dhe mediatike për zjarret në Tropojë, Malsi e Madhe, Shkodër, Lezhë, Mirditë. Gjithçka për politikën, por jo për natyrën e cila po digjet.

Po e paguajmë dhe do ta paguajmë shtrenjtë këtë pabesi dhe indiferencë ndaj natyrës. Po e paguajmë me pyjet që premë, me ujërat që devijuam, me mijëra HEC-e nëpër çdo shkrep ku ka një burim uji, me ndotjen që po i bëjmë ambientit në çdolloj mënyre, me ndërtimet, me shfrytëzimet pa kritere.

Në këto raste nuk ka nevojë të lëshojë njeri mallkim, sepse mallkimi është vetë natyra e djegur. Ajo klith, bërtet dhe gjëmon e ne frymorët arsyetorë do ta paguajmë shtrenjtë..