Atdheut iu shtua dje fatkeqësisht një tjetër dëshmor! Pas vdekjes së nëntetares Zarife Hasanaj ndërroi jetë edhe major Klodian Tanushi. Prej 4 ditësh ishte i shtruar në spitalin e Rigës në gjendje të rëndë, e ndërsa dje ndërroi jetë. Në bazën e NATO-s “Camp Arena” në Herat Afganistan flamuri shqiptar është ulur në gjysmë shtizë. Kontigjenti i V-te Paqeruajtës nderoi veprën sublime të dëshmorëve të rënë Letoni.

Ndërkohë që kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u dërgoi sot një mesazh ngushëllimi fëmijëve, bashkëshortes dhe familjarëve të majorit Klodian Tanushi. “Ndaj dhimbjen me fëmijët, bashkëshorten dhe familjarët e komandantit trim, majorit Klodian Tanushi.

Klodian Tanushi është një engjëll mbrojtës i paqes dhe ra dëshmor për Shqipërinë, Letoninë dhe Europën, për garantimin dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve letonezë dhe europianë. Shqipëri, ji krenare për bijtë e tu që sakrifikohen për sigurinë e qytetarëve të Europës dhe të botës!”, shkruan në mesazhin e tij kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.