Duke nisur nga nesër i gjithë kufiri mes Shqipërisë dhe Greqisë do të monitorohet nga 50 oficerë të FRONTEX . Objektiv është kontrolli i fluksit të emigrantëve, lufta ndaj krimit dhe trafikut të qenieve njerëzore. Tek Pallati i Kongreseve po zhvillohet ceremonia që Frontex, Agjencia Evropiane e Rojave Kufitare dhe Bregdetare, në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, do të nisë operacionin e saj të parë të përbashkët në Shqipëri duke shënuar një fazë të re për bashkëpunimin kufitar midis BE-së dhe partnerëve të Ballkanit Perëndimor.

Kjo do të jetë hera e parë që Frontex do të kryejë një operacion në territorin e një vendi jo të BE-së. I pranishëm është Komisioneri Dimitris Avramopoulos, Drejtori Ekzekutiv i Frontex-it Fabrice Leggeri, kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Brendshëm të Shqipërisë Sandër Lleshaj. Marrëveshja i mundëson Frontex-it, Agjencisë Evropiane të Rojave Kufitare dhe Bregdetare, të kryejë operacione të përbashkëta dhe të vendosë ekipe në kufijtë e përbashkët të Shqipërisë dhe BE-së.

Ministri i Brendshëm Sadër Lleshaj u shpreh se operacioni me FRONTEX do të forcojë sigurinë në kufi për ndalimin e emigrantëve që synojnë të përdorin Shqipërinë si trampolinë për të kaluar në vendet e BE-së. “Fillimi i operacionit shënon një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet e Shqipërisë me BE-në.

Operacioni ka për qëllim rritjen e sigurisë së kufijve tanë. Cdo investim për më shumë siguri duhet të prodhojë më shumë liri. Angazhimi në fazën e parë të operacionit nga 11 vende të BE-së shpreh rëndësinë e madhe që i kushtohet atij. Rojet do të patrullojnë bashkë me shqiptarët për të arritur nivelin më të lartë.

Personeli i shtuar, teknika moderne, standarde të reja në pikat e kalimit kufitar. Është shënuar edhe rritje e emigrantëve të parregullt që duan ta përdorin Shqipërinë si vend tranzit, në 2018 ky numër u rrit mbi 6 herë, edhe gjatë këtij viti fenomeni ka vijuar të mbetet prezent.

Me FRONTEX besojmë se do të forcojmë kapacitetet në krimin ndërkufitar. Ministria e Brendshme dhe policia janë të angazhuar për suksesin e plotë të operacionit që nisim sot dhe të interesuara për zgjerimin e fushave të bashkëpunimit në luftën kundër krimit” deklaroi ai.

Artikulli paraprakSOT PROTESTË, VONESA DHE ANULIME TË FLUTURIMEVE NGA TIRANA DREJT ITALISË
Artikulli tjetërPUBLIKOHET LISTA E LOJTARËVE TË NDESHJEVE NDAJ ISLANDËS DHE MOLDAVISË PËR EURO 2020