Fundjava në pikën kufitare të Muriqanit është shoqëruar me radhë kilometrike makinash. Fluksi është vënë re kryesisht në hyrjet për në vendin tonë.

Nga të dhënat në këtë pikë doganore vetëm tre ditët e fundit në Shqipëri kanë hyrë rreth 18 mijë shtetas. Ndërsa në dalje janë regjistruar rreth 16 mijë shtetas. Aktualisht punohet me 6 sportele, 4 sportele në dalje dhe 2 sportele në hyrje.

Përveç radhëve të gjata, shqetësuese për qytetarët janë edhe parakalimet e mjeteve, për të arritur tek pika e kalimit kufitar të Muriqanit duke e bllokuar edhe më tepër trafikun. Qytetarët të cilët udhëtojnë drejt Malit të Zi, por edhe ata që hyjnë në territorin shqiptar ankohen për pritjet e gjata në kufi.

Me qindra kanë qenë automjetet që prej orëve të para të mëngjesit janë detyruar të qëndrojnë në radhë në diell në kërkim të një alternative tjetër në këto ditë të nxehta.Ndërkohë në ditët në vijim pritet të ketë shtim të fluksit si në hyrje ashtu edhe në dalje të pikës kufitare të Muriqanit.