Një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) pritet që të mbrërrijë javën e ardhshme në kryeqytet.

Si një përdorues i mëparshëm i financimit të FMN-së, Shqipëria tashmë bën pjesë në të ashtuquajturin “Monitorim pas Programit”, i cili kërkon shqyrtime dy herë në vit të zhvillimeve makroekonomike, rreziqeve dhe politikave.

Marrëveshja trevjeçare e zgjeruar e mekanizimit të Fondit (EFF), që i mundësoi qeverisë shqiptare të merrte një hua prej 377,3 milionë euro, përfundoi në shkurt 2017.

Tashmë marrëdhënia mes FMN-së dhe qeverisë bazohet në artikullin 4, ku FMN vazhdon të monitorojë zhvillimet dhe të ofrojë këshilla për qeverinë, por marrëdhënia nuk është më detyruese siç ishte gjatë kohës së marrëveshjes së zgjeruar.

Vizita e Fondit përkon me një moment deciziv të këtij viti, teksa buxheti i vitit 2019 është hartuar dhe është në fazë diskutimi.

Qeveria parashikon në buxhet që të ardhurat të jenë 484 miliardë lekë, me rritje 4.7%, duke zbritur në 27.8% të PBB-së, nga 28.1% që është pritshmëria këtë vit. Ndërsa borxhi parashikohet të zbresë ë 55% të PBB-së,

qeveria parashikon të shpenzojë për pagesat e koncesioneve rreth 100 milionë euro për koncesionet me vlerë 1 miliardë euro që janë dhënë aktualisht.

Në projektbuxhet janë parashikuar dhe projekte të tjera me vlerë dy miliardë euro për vitet në vijim, kryesisht për rrugë (ndonëse janë ende në fazë fillestare).

FMN gjithnjë ka shprehur rezervat për projektet e partneritetit publik privat, duke i quajtur ato një rrezik domethënës fiskal.

Në deklaratat e mëparshme, fondi ka kërkuar që ndikimi i këtyre projekte, ndryshe nga sa veprohet aktualisht, të reflektohet në llogaritë fiskale dhe borxhin publik në mënyrë transparente dhe në linjë me normat ndërkombëtare.

Aktualisht qeveria e reflekton borxhin vetëm si detyrim korrent të vitit kur ndodh, ndërsa standardet ndërkombëtare kërkojnë dhe llogaritjen e pjesës së detyrimit të shtetit në totalin e borxhit publik.

FMN e ka shprehur me parë se është e rëndësishme që çdo projekt PPP të bëhet transparent, të ketë një analizë të qartë kosto përfitime dhe një analizë të plotë rreziku.